Analisti Frrok Çupi deklaroi dje se protesta e opozitës më 12 nëntor nuk bëri asnjë efekt, pasi nuk kishte qëllim, ndërsa shprehur bindjen se ajo u financua nga Moska.
Gjatë një prononcimi për mediat, Çupi theksoi dje se protesta bëhet në një moment kur Berisha dhe Meta janë në gjendje të vështirë. “E pashë si një protestë që s’bëri asnjë efekt dhe që kam bindjen se është financuar nga Rusia. Unë kam frikë se me këtë mënyrë që po bëhen protestat politike, nga partitë politike, sidomos nga ky grupim, protesta po merr kuptimin e mitit.
Shkojmë në protestë sepse është hyjnore dhe s’është e imja, s’bën punë për mua, jam individi. Kjo i shërben asgjëje. Berisha i ka shërbyer qysh prej fillimit mitit të tij, ka sajuar grusht shteti, luftë civile, e tëra sjell te kulti. Qysh prej inicimit të protestës kuptohej se ajo bëhej për arsye se Meta dhe Berisha ndihen në gjendje të vështirë, shumë të rëndë. Kjo protestë s’kishte lidhje me politikën por psikologjinë. Ne kuptuam sa njerëz janë të fiksuar pas mitit. Faktit që ishin 8 apo 9 mijë, sa u tha…Ta quajmë 25 mijë, s’ka lidhje fare numri i protestuesve.
Është e çuditshme t’i japim vlerë numrit. Numri ka vlerë në revolucione dhe luftë civile. Janë të pakënaqurit brenda PD dhe atje bëhet një përleshje mes dy grupimeve. Berisha s’ka asnjë të ardhme, asnjë gjë në dorë. Merr njerëz për t’i thënë SHBA-ve shiko që unë kam njerëz, për të kërcënuar SPAK-un shiko se kam njerëz”, deklaroi ai. Më tej analisti Çupi u shpreh se një popull që i shkon pas liderit, në këtë rast Berishës, sipas tij, është i çmendur. “Grumbullimi i njerëzve pa qëllim është dhunë për publikun.
Ky grupim i PD ka mbetur në atavizmat e hershme. Mbetëm duke u krahasuar me vitin 1990. Edhe parullat ishin ato. Edhe tensioni ishte i njëjtë, i bazuar mbi vrasjen. Ata evokojnë kohën e tyre. Nëse protestuesit duan të shkojnë pas, duhet të atrofizohen në mendim, të rrinë në atë grupim. Shumë mire që dalin këta njerëz, se shfryn Berisha, shfryn Meta, dhe për ca ditë i ke rehat. Le të shkarkojnë tensionet e tyre, por s’i japin gjë shoqërisë. Kishte njerëz skizofrenë, njerëz të marrë.
Ai është një popull i keq, i marrë që shkon pas Berishën. Njerëzit që i shkojnë pas liderit janë të marrë”, u shpreh ai. Ndërkohë analisti Frrok Çupi akuzoi Berishën dhe Metën se shkatërruan protestën e thirrur nga vetë ata. “U arrit atje ku e kishin projektuar. Janë dy njerëz kafaza, që s’kanë gjë brenda, dy guaska të boshatisura, dalin si fantazma dhe përdhunojnë nderin e një proteste. Ishin nisur për të bërë zhurmë dhe për të fituar të drejtën e tyre për të ulëritur në pazar. Dhunim mbi ta. I thërret njerëzit nga Kolonja, hajde se do rrëzojmë qeverinë. Një mijë herë ke thënë se do ta rrëzojmë qeverinë”, nënvizoi Çupi.