Gabriel Jesus ka marrë për dore Manchester City, që ka fituar në shtëpi ndaj Everton me rezultatin e ngushtë 2-1. Sulmuesi brazilian realizoi dy herë në tetë minuta (51′ dhe 58′) dhe i dha një fitore me shumë vlera “Qytetarëve”.
Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti i ngushtoi shifrat me sulmuesin Richarlison. Braziliani shënoi në të 71′. Më pas nuk pati gola të tjerë dhe City ngushtoi në 11 pikë diferencën me Liverpool, që ka dy ndeshje më pak.
West Ham United i është gëzuar fitores pas disa rezultateve negative. “Çekiçët” mposhtën Bornemouth me rezultatin 4-0 dhe ishte kapiteni Kevin Nolan që realizoi dy herë që në pjesën e parë.
Sebastian Haller gjithashtu realizoi në 45-minutëshin e parë, madje një gol super me një kthesë në zonë. Felipe Anderson shënoi edhe golin e katërt, duke i dhënë fund kësaj përballjeje dhe West Ham largohet momentalisht nga zona e ftohtë.
Norwich-Chrystal Palace ishte takimi tjetër i zhvilluar dhe përfundoi në barazim 1-1. Cantwell shënoi që në fillim për vendasit, kurse Wickham në fund vendosi baraspeshën.
Chelsea i Londrës e nis me barazim vitin 2020, duke mos arritur të bëjë dy fitore radhazi pas atij suksesi shumë të rëndësishëm në derbi me Arsenalin.
Skuadra e drejtuar nga Frank Lampard mori vetëm një pikë në fushën e Brightonit, falë rezultatit 1-1.
Goli i Azpilicuetas pa u mbushur 10 minuta lojë nuk mori vlerën e tri pikëve, pasi në të 84’, Jahanbakhsh realizoi një gol fantastik me roveshatë, duke befasuar portierin Kepa, që mbeti i palëvizur.
E nis vitin me një fitore bindëse 0-3 Leicester City në fushën e Newcastle, me gola të Perez, Maddison dhe Choudhury. “Dhelprat” konfirmojnë momentin e mirë që po kalojnë, duke ruajtur vendin e dytë, me 45 pikë, 10 më pak se Liverpooli kryesues.
Zhgënjen Tottenhami, i drejtuar nga Jose Mournho, pasi u kthye pa pikë nga transferta e Southmptonit. Në “St. Mary’s Stadium” vendosi goli i Ings në pjesën e parë. Duhet theksuar se “Spurs”-at humbën për arsye dëmtimi sulmuesin kryesor, Harry Kane, i cili la fushën në minutën e 75-të.
Aston Villa triumfoi 1-2 në fushën e Burnley-t, ndërsa Watfordi iu imponua 2-1 Wolves.