Pas qeverisë edhe Kuvendi ka paralajmëruar spastrim në Administratën Publike. Kryeministri i vendit, Edi Rama, paralajmëroi në Kongresin e PS se nuk do të ketë më tolerime, por do të largohen të gjithë punonjësit e paaftë dhe parazitët nga administrata.
Pas kësaj deklarate, mazhoranca në Kuvend është hedhur menjëherë në veprim. Ku përmes një projektrezolute të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit kërkohet që, të bëhen verifikime dhe vlerësime për të gjithë punonjësit civilë. Sipas kësaj kërkesë, ligji i ri duhet të bëjë që të gjithë punonjësit të kalojnë në filtra të një komisioni vlerësues, për të evidentuar nëse e meritojnë atë pozicion pune apo jo. Kuvendi kërkon që ky ligj të përgatitet brenda këtij viti dhe të fillojë sa më shpejt nga zbatimi.
“Kuvendi kërkon që Departamenti i Administratës Publike për vitin 2021 të angazhohet në këto drejtime; të përgatisë ndryshimet e nevojshme ligjore dhe nënligjore për përmirësimin e metodologjisë së vlerësimit të performancës të nëpunësve civilë, për një vlerësim objektiv dhe të bazuar në meritë”, përcakton projektrezoluta.
Për të eliminuar punonjësit e padenjë dhe rritur cilësinë e punës në Administratë, Kuvendi i kërkon institucionit që të bëjë ndryshime edhe në ligjin i cili zbatohet për procesin e rekrutimit të punonjësve, apo për rritjen në detyrë të tyre.
“Departamenti i Administratës Publike duhet të përgatisë ndryshimet e nevojshme ligjore dhe nënligjore për përmirësimin e metodologjisë së klasifikimit të pozicioneve të punës, në zbatim të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar”, theksohet në dokument.
Konkurrencë transparente
Në një tjetër detyrë të lënë Administratës për vitin 2021, Kuvendi kërkon që përzgjidhja e personave për vendet vakante të bëhet përmes konkurrimit. Këtu, projektrezoluta thekson se zhvillimi i konkurrimit duhet të bëhet në mënyrë transparente, duke respektuar të drejtat e tyre por edhe duke përmbushur kriteret që kërkon një pozicion pune.
“Të mundësojë realizimin e procedurave të konkurrimit për pozicionet e nivelit ekzekutiv, në përputhje me parimet e përcaktuara në ligjin për shërbimin civil, me qëllim garantimin e një procesi përzgjedhës transparent, të drejtë dhe objektiv të nëpunësve civilë, si dhe kryerjen në mënyrë sa më efektive të procedurave të rekrutimit”, thuhet në dokument.
Sipas Kuvendit, është e nevojshme që këto lloj procedurash të përdoren në çdo rast, sepse kështu do mund të bëhen rekrutime në bazë të meritokracisë. Ndër të tjera, kjo projektrezolutë kërkon që të shtohen monitorimet dhe kontrollet në Administratë për të evidentuar nëse punonjësit zbatojnë rregullat dhe politikat e duhura gjatë procesit të punës.
“Duke vlerësuar rolin e DAP-it, si njësia përgjegjëse në kuptim të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, për përgatitjen dhe mbikëqyrjen e zbatimit të politikave shtetërore në shërbimin civil, mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të shërbimit civil në institucionet e administratës shtetërore”, vlerëson Kuvendi.