Prof. Pëllumb Xhufi
Në kulmin e përhapjes së epidemisë të koronavirusit në Europë, në ditët e fundit të marsit 2020, të kapura në befasi e të përfshira në kaos, mjaft qeveri evropiane u mbyllën brenda mureve të egoizmit, duke lënë vetëm në luftën me sëmundjen e panjohur Italinë, një nga vendet themeluese të Bashkimit Europian, që më shpejt e më rëndë se çdo vend tjetër i BE u godit nga pandemia.
Mbarë bota ndiqte ato ditë skenat tronditëse të spitaleve italiane, që kujtonin skenat plot dhimbje e britma të spitaleve pas betejave të përgjakshme të Luftës së Parë e të Dytë Botërore.
Pikërisht në atë moment kritik për Italinë e për Evropën, qeveria shqiptare ndërmori një hap të zgjuar e kurajoz, duke dërguar një ekip me mjekë e infermierë në mbështetje të kolegëve të tyre në spitalet e Italisë së Veriut. Ky gjest fisnik, që vinte nga Shqipëria e vogël, ku emergjenca e pandemisë kishte patur një prelud jo më pak dramatik me tërmetin shkatërrues të 26 nëntorit 2019, pati një jehonë të jashtëzakonshme në mbarë botën.
Në Italinë fqinje ai ngjalli një admirim të përgjithshëm e sot, kur duket që furia pandemike ka rënë, mund të thuhet se mbërritja e mjekëve dhe e infermierëve shqiptarë ishte një nga sinjalet e pakta të solidaritetit e të shpresës, që u vlerësua njësoj (gjë e rrallë kjo) si nga partitë e koalicionit qeveritar, ashtu edhe nga opozita italiane. Ky gjest mbushi me admirim e me krenari shqiptarët kudo ku ata ndodhen e, vetëkuptohet, u përjetua me emocion të veçantë nga komuniteti i gjerë i arbëreshëve të Italisë.
Përcjellës të ndjenjave të tyre u bënë ato ditë Akademikët e mirënjohur, Matteo Mandala e Francesco Altimari, titullarë të katedrave të Albanologjisë në Universitetet e Palermos e të Kozencës, të cilët në ato ditë të vetmisë së madhe për Italinë e popullin italian, me një thirrje të thekshme drejtuar zonjës Ursula von der Leyen, Kryetare e Komisionit Evropian, e ofronin gjestin e qeverisë shqiptare si shembull të lartë moral për një Evropë të së nesërmes, që duhet të jetë një Evropë e solidaritetit dhe jo një Evropë e egoizmave dhe e interesave të ngushta nacionale.
Nuk çudit aspak fakti, që letra e dy albanologëve të shquar u lexua me interes nga Kryekomisionerja von der Leyen. Në një letër-përgjigje po aq të hapur e të sinqertë që Prof. M. Mandala e Prof. F. Altimari morën së fundi nga Kabineti i zonjës Ursula von der Leyen, të cilën gazeta “Dita” po e boton sot për lexuesit e saj, rikonfirmohet me forcë angazhimi i Bashkimit Evropian në mbështetjen e gjithanshme për vendet e Ballkanit Perëndimor e në veçanti të Shqipërisë në kapërcimin e emergjencave të jashtëzakonshme të këtij viti të mbrapshtë fatkeqësish natyrore, e akoma më gjerë, në përshpejtimin e proceseve integruese evropiane. Kundrejt këtij letërkëmbimi inkurajues me Komisionin Evropian, ne duhet t’i jemi mirënjohës dy akademikëve të mirënjohur.
Por, nuk mund ta fshehim se gjesti i tyre i jashtëzakonshëm në mbështetje të rrugëtimit evropian e të proceseve integruese të Shqipërisë, na shtyn ti kthejmë për një çast sytë nga vetja. E na duhet të themi, se mesazhe krejt të ndryshme i kanë shkuar Evropës nga ndonjë mjedis politiko-social këtu, në Republikën e Shqipërisë. E kemi fjalën për shpurën e atyre palo-politikanëve idhnakë e agresivë, që shkumbëzojnë papushim helmin e tyre antishqiptar duke i kërkuar Evropës ta braktisë, të mos ta ndihmojë e të mos ta pranojë në gjirin e saj “narko-shtetin”, siç e cilësojnë ata harbutërisht vendin e tyre. E kemi fjalën për atë lukuni pseudo-intelektualësh gjithologë, pseudo-gazetarë e pseudo-analistë, pseudo-filozofë e pseudo-sociologë, pseudo-historianë e pseudo-gjuhëtarë, pseudo-regjisorë e pseudo-aktorë, pseudo-sizmologë e pseudo-virologë, që të refuzuar e të dështuar profesionalisht, shpresojnë se mund të realizohen duke iu bashkuar skalioneve të politikës së rrugës, ku predikojnë braktisjen e zgjedhjeve e të institucioneve dhe marrjen e pushtetit me dhunë e “me revolucion”.
Por le t’i lemë këta në mjerimin e tyre. E le të jetojmë me ndjenjën e ëmbël të admirimit e të një krenarie të ligjshme kombëtare që na ngjallin gjeste si ato të mjekëve tanë, që gjejnë forcë për të shprehur përkushtimin, humanizmin e profesionalizmin e tyre brenda, por edhe jashtë Shqipërisë. Le të ndajmë me Prof. Mandalanë e Prof. Altimarin leximin e thellë e vizionar që ata i bëjnë atij gjesti, kur si shqiptarë të vërtetë evropianë, i drejtohen Evropës së sotme me pasionin që i drejtoheshin Evropës së dikurshme Rilindasit e këtej dhe andej Adriatikut, kësaj radhe duke e sublimuar sjelljen e mjekëve shqiptarë në ndihmë të kolegëve të tyre italianë në një shembull moral e programor për Evropën e së ardhmes, e cila duhet të bëjë diferencën pikërisht në momente dramatike, si këto të sotmet, kur ka aq shumë nevojë ka për altruizëm e solidaritet.
Letra:
Komisionit Evropian
Në vëmendje të Zonjës Ursula von der Leyen
Letër e hapur Europës së popujve
Duke marrë shkas nga fjalimi i Edi Ramës, datë 28/3/2020 me rastin e nisjes së task-forcës shëndetësore shqiptare në ndihmë të zonave të Italisë më të goditura nga koronavirusi.
Europë e dashur, nuk është ky çasti i duhur për përçarje, por për bashkim. Një shembull i bukur t’u dha nga Shqipëria, nga një vend i vogël të cilit vetëm pesë ditë më parë i premtove më në fund t’i hapësh dyert e tua burokratike duke miratuar nisjen e negociatave për hyrjen e saj në Bashkimin Europian.
Tani duhet të vazhdosh në këtë rrugë guximi dhe dashurie. Nuk do ta kesh të vështirë! Kthe vështrimin nga e kaluara për t’i siguruar një të ardhme vetes. Mjafton, e dashur Europë, të rikujtosh historinë tënde, që është edhe jona. Mjafton të rilexosh Manifestin largpamës të Ventotenes për një Europë të lirë e të njësishme, të shkruar nga Ernesto Rossi dhe Altiero Spinelli. Mjafton të marrësh përsëri rrugën e vjetër të përvijuar nga etërit e tu themelues – De Gasperi, Schuman, Adenauer, Monnet, Spak – dhe, sipas shembullit të tyre, të vësh në jetë e të bësh të zbatueshme një fjalë të urtë të vjetër shqiptare, të ruajtur me fanatizëm (dhe të vënë në jetë gjatë historisë së tyre pesëqindvjeçare në Itali) edhe nga shqiptarët e Italisë – Arbëreshët:
GUR GUR BËHET MUR.
Kuptohet, është fjala për murin e solidaritetit, e ndarjes së gjërave të përbashkëta, të përfshirjes, dhe sigurisht jo atë të egoizmit, të indiferencës dhe të përjashtimit që nganjëherë ti, me zgjedhjet e tua, ndihmon që të ngrihet!
Europë e popujve, jep më në fund një shenjë të fuqishme për të shndërruar këtë alarm shëndetësor në një shtytje vendimtare për të realizuar idealet që të kanë lindur, bashkimin dhe solidaritetin mes qenieve njerëzore; përmbushi më në fund nevojat e qytetarëve të tu, mbështeti në të drejtën që të të shohin si shtëpinë “e tyre” të përbashkët.
Dëgjoje Papa Françeskun dhe thirrjen e tij të dhembshur – “Askush nuk ka për të shpëtuar vetë” – në qoftë se je vërtet e bindur që themelet e tua mbështeten në rrënjë të krishtera.
Dëgjo burra shteti si Sergio Mattarella, të cilin si italianë e falënderojmë pasi e konsiderojme si një pikë referimi të qëndrueshme të rindërtimit Tënd.
Mëso nga Edi Rama, të cilin e falënderojmë të prekur, bashkë me popullin bujar shqiptar, që të dha edhe një herë një kuptim komunitar ty, Europës sonë të dashur.
Qytetarët e tu të përunjur
Prof. Matteo Mandalà
Katedra e Albanologjisë, Universiteti i Palermos
Prof. Francesco Altimari
Katedra e Albanologjisë, Universiteti i Kalabrisë
Përgjigjja e Komisionit Europian letrës së hapur të profesorëve arbëreshë:
KOMISIONI EUROPIAN
Drejtoria e përgjithshme e Politikave të fqinjësisë dhe të negociatave për zgjerimin
D – Ballkani Perëndimor
D.4 – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina
Kreu i njësisë
Drejtuar:
Prof. Matteo Mandalà
Katedra e Albanologjisë, Universiteti i Palermos
Prof. Francesco Altimari
Katedra e Albanologjisë, Universiteti i Kalabrisë
Bruksel, 03/06/2020
Të nderuar profesorë,
Ju falënderojmë për letrën tuaj të datës 26 prill të këtij viti, drejtuar në vëmendjen e Kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila më ka ngarkuar t’ju përgjigjem. Morëm me kënaqësi thirrjen tuaj plot ndjenjë për solidaritet, bashkëpunim dhe për forcimin e integrimit europian. Shembulli i Shqipërisë, të cilit ju i referoheni, tregon edhe një herë rëndësinë e lidhjes strategjike mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Angazhimi i Bashkimit Europian për Shqipërinë është konkret. Gjatë viteve, dhe deri në krizën e fundit të pandemisë së Covid-19, ai është materializuar në një mbështetje të rëndësishme dhe në ndihmë të vazhdueshme. Me synimin për të mbështetur përpjekjet e qeverisë shqiptare për të zbutur pasojat e pandemisë në vijim, Komisioni Europian ka caktuar mbi 50 milionë euro. Kjo ndihmë u është drejtuar infrastrukturave shëndetësore, por edhe në mbështetje të sektorëve të ekonomisë më të rënduar nga kriza.
Një tjetër gjest i rëndësishëm solidariteti i kohëve të fundit për popullin shqiptar u konkretizua në 17 shkurtin e kaluar, në kuadrin e konferencës “Together for Albania – International Donor’s Conference”. Komisioni Europian ishte kreu i organizimit të veprimtarisë që siguroi në rang botëror mbledhjen e fondeve për të rindërtuar zonat e prekura nga tërmeti i tmerrshëm i nëntorit të vitit të shkuar 2019. Kontributi financiar i posaçëm i Bashkimit Europian është dëshmuar në 115 milion euro, të cilave u shtohen kontributet e shumë donatorëve dypalësh ose jo, me një total prej 1.15 miliard euro.
Siç ka deklaruar kohët e fundit kryetarja von der Leyen, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, pra edhe e Shqipërisë, është në Bashkimin Europian. Procesi i zgjerimit shpërblen meritat e vendeve që zbatojnë reforma për shtetin e së drejtës, për të drejtat themelore dhe proceset demokratike. Komisioni Europian do të vijojë dialogun e tij me Shqipërinë për këto tema, për të mirën e shtetasve të Shqipërisë.
Përzemërsisht,
[firma elektronike]
Michela Matuella