Shqipëria mund të rënditet fare mirë në parajsën e grupeve kriminale apo klaneve mafioze, që kanë përvetësuar gjithçka kanë dashur përmes rrushfetit dhe aferave korruptive dhe bashkëpuntorët e tyre në këtë megagrabitje të parave publike, janë pushtetarë apo biznesmen të fuqishëm, që bëjnë rolin e lavatriçes së parave të burimeve të jashtëligjshme.
Ajo që është më e rënda, është se këto klane mafioze janë të lirë të bëjnë gjithçka, pasi askush nuk i kontrollon, jo se i kanë frikë, por marrin urdhra për të mos e bërë një gjë të tillë, sepse pas tyre fshihen emra të zyrtarëve të lartë, deputetë, ministra apo familjarë të tyre, biznesmenë të fuqishëm që me ndikimin tek pushteti e kanë kthyer Shqipërinë në “Parajsën e Pastrimit të Parave”.
Një sektor shumë i rëndësishëm ku bëhet pastrimi i parave është ai i ndërtimit, ku vlerësohet për fat të keq, se 60% e kompanive të ndërtimit në Shqipëri nuk i justifikojnë burimet e tyre financiare, duke e rënditur vendin tonë në listën gri të vendeve me nivel të lartë të riskut të pastrimit të parave.
Paratë e tërmetit i dhanë një “frymarrje” pushtetit të Edi Ramës, i cili siguroi nga Europa për klientët e tij, bandën e çakenjve të parave publike, 1.15 Miliard Euro, nga të cilat 20% gjithmonë i kthehen me valixhe “bamirësit”, ose më saktë pushtetarëve të korruptuar që kanë në dorë Tenderat e Rindërtimit. Paratë e Europës bujare e kthyen mortin në dasëm, ku disa palaço të veshur si zotërinj nisën të hedhin valle mbi eshtrat e viktimave të katastrofës, që fati u kishte rezervuar një fund tragjik.
Nga këta grykësa e grabitësa të parave publike, disa nga përfituesit më të mëdhenj të fatkeqësive njerëzore, të pamëshirshëm për të mbledh edhe qindarkën e fundit janë “Ante Group” e Gjysho Merko me ortak Bardhjus Bushaj dhe “Nova Construction 2012” kompani e kamufluar e kartelit Mark Luli, në pronësi e Ilir dhe Kujtim Shtufi.
Burime konfidenciale pohojnë se ky rrjet i pastrimit të parave është vënë nën hetim nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrim të Parave dhe Autoriteti i Konkurrencës, e ndoshta kur tu dal gjumi do të jenë subjekt i SPAK dhe BKH. Ndërsa një burim tjetër nga tatimet, pohoi se ky rrjet është i përfshirë prej vitesh në korrupsion sistematik, falsifikim dokumentesh, pastrim parash, fshehje të ardhurash, evazion fiskal, etj. Një tjetër burim tha se rrjeti është i përfshirë në tanskasione të pajustifikuara miliona euro dhe largim të parave jashtë vendit.
Të ardhurat e tyre financiare janë kryesisht para që fitohen, shpenzohen apo transferohen në mënyrë të paligjshme dhe që kalojnë kufijtë e shteteve, që gjenerohen nga aktivitete kriminale, korrupsioni dhe evazioni fiskal. Personat në fjalë nuk nuk i justifikojnë dot burimet e të ardhurave, kjo ka sjellë dyshimet e autoriteteve të cilën kanë nisur një hetim për sigurimin e tyre në forma të paligjshme.
Konsorciumi i përbërë nga “Ante Group” dhe “Ferro Beton (Mark Luli) & Construction Co”, kanë përfituar katër kontrata nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një vlerë prej 1.83 milion euro. “Ante Group” udhëheq gjithashtu bashkime operatorësh që fituan 5 kontrata të tjera nga bashkitë me një vlerë totale prej 1.4 milion euro.
“Ante Group” dhe “Nova Construction 2012”, kanë siguruar më shumë se 15 milion euro vetëm nga “Programi i Rindërtimit”.
Ortaku i Gjysho Merkos është Bardhjus Bushaj, i cili bënë rolin e sekserit për të përfituar tenderat duke shfrytëzuar lidhjet e tij me zyrtarë të lartë dhe njerëz pranë pushtetit. Sipas investigimit rezulton se Merko dhe Bushaj janë biznesmenë fasadë, pasi nën hijen e tyre qëndrojnë disa oligarkë dhe manjat mediash që lëvizin fijet të ndihmuar nga disa zyrtarë të korruptuar shqiptarë.
Kompania “Ante Group” ku del në skenë Gjysho Merko, me sekser Bardhjus Bushaj, rezulton fituese në 21 tendera publik në pak vite veprimtari, e cila ka arritur të gllabërojë jo pak por plot 33 MILION EURO, 15 milion prej të cilave me Mark Lulin. Tenderat e fituara nga “Ante Group” janë 99% sa fondi limit, oferta më e lartë apo operatorë i vetë konkurues.
Ndërsa nëse do të kërkosh një shembull ulëritës për SPAK, të pastrimit të parave të drogës dhe korrupsionit në ndërtim në Tiranë, ai është Mark Luli. Dokumente, bilance dhe dosjet konfirmojnë se biznesmeni Mark Luli, pastron miliona euro që nga viti 1997, por sidomos pas vitit 2008 deri më sot. Paratë e pista janë pastruar dhe pastrohen përmes kompanive M. C. INERTE, Ferro Beton & Construction Co, ‘Luli shpk’, “Dushku S. A”, M.C INERTE LUMZI, M.C. ENERGJI GOJAN, ‘Nova Construction 2012” etj., në bashkëpunim me baxhanakun Ilir Shtufin dhe Kujtim Shtufin.
Një dosje voluminoze me dokumente nxjerrë në pah aktivitetin e errët të Mark Lulit dhe disa bashkëpunëtorëve të tij në Itali, nisjen e regjistrimit të kompanive të ndërtimit në Tiranë në vitet 1997-1998, hapjen e kompanive të tjera fantazmë dhe më pas hedhjen e parave të pista, kryesisht produkt i trafiqeve.
Si funksionon skema për pastrimin e parave të pista
Skema është pothuajse e njëjtë për të gjithë. Fillimisht, personat hapin kompanitë formale dhe me kalimin viteve hedh qindra mijëra euro para të pista në to, ndërsa rrit kapitalin e tyre, i cili nuk justifikohet me aktivitetin e ligjshëm të kompanisë, por në bilance të falsifikuara, që mund të verifikohen lehtësisht. Në të njëjtën kohë, me para me burim të errët, blen aksione në kompani të tjera, dhe kështu ngre një perandori biznesi me bazë para të pista.
Sot, rrjeti i pastrimit të parave përzien paratë e pista me paratë publike, që i fiton përmes tenderave, para të pista, para korrupsioni dhe para nga shitja pasurive të paluajtshme. Më konkretisht, këta individë marrin një pronë publike për të ndërtuar pallat, në mënyrë korruptive ose tender me një nga kompanitë e tyre. Ryshfetin apo 20% për blerjen e pronës publike në zonat më të lakmueshme të Tiranë ose për marrjen e tonerit, e paguajnë me para të pista. Gjithashtu, mbi 50% të kostos së pallatit e mbulojnë me para të pista. Nga ana tjetër, pasuritë e paluajtshme në objektet që ka ngritur në prona publike të blera apo në prona private, ua shesin kesh kryesisht njerëzve që bëjnë trafik droge, apo në shumicën e rasteve jashtë sistemit bankar.
Emrat e tyre dalin kudo, në çdo tender publik, në çdo fshat që do të zhvillohet, në çdo godinë që ngrihet apo shembet, nga veriu në jug, sepse ata ndërtojnë kudo duke mbushur arka e xhepe, pa i hyrë gjemb në këmbë, teksa organet e përgjumura të drejtësisë duket sikur janë bërë palë përfituese… Për t’i ndaluar do mjaftonte vetëm një verifikim nga SPAK dhe Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave tek kompanitë “Ante Group Shpk” e Gjysho Merkos dhe ortakut të tij Bardhjus Bushaj, por edhe të ndërtuesit Mark Luli i “Ferro Beton”, si janë ndërtuar pallatet, kush i ka blerë në bllok apartamentet, ku i kanë marrë paratë dhe me çfarë aktiviteti i kanë financuar./Ekskluzive.al