Deputetja Rudina Hajdari ka reaguar pas sulmeve të ashpra në drejtim të saj nga njerëz pranë Partisë Demokratike, pse kjo e fundit kërkoi në Kuvend që të mbahej një minutë heshtje për 4 të vrarët e 2 prillit.
Hajdari thotë në reagimin e saj, se është ironike që i kërkojnë llogari, pikërisht ata njerëz që kanë 28 vite që bëjnë politikë me Gramoz Ruçin dhe madje, bënë anëtar të PD-së, një njeri si Kastriot Islami.
“Të kërkosh nderim zyrtar me heshtje në Kuvend për Martirët e Demokracisë nuk është fyerje por akt dinjitoz për ata që besojnë në vlerat demokratike.
Ata që bëjnë sikur e duan shumë të djathtën duhet të kenë parasysh se me Gramoz Ruçin dhe partinë e tij kanë 28 vjet që bëjnë politikë.
Mos të harrojnë historinë se Z. Islami që ishte Kryetar i Kuvendit Komunist e kanë bërë pjesë të grupit parlamentar ndërsa me Lufter Xhuvelin kanë mbajtur koalicion.
Drejtësi duhet të bëhet për Martirët e Demokracisë ashtu siç edhe për dhjetra raste të rënda në Shqipëri të cilat kanë mbetur si gjurma në akull si shkak i politikës 28 vjeçare…”, shprehet deputetja demokrate.