Një nga themeluesit e Partisë Demokratike dhe ish- deputet i saj inxhinieri Arben Meçe, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vendin tonë. I ftuar në emisionin ‘Breaking’, Meçe foli në lidhje me deklaratat e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas përfundimit të procesit të votimit në zgjedhjet e 25 prillit dhe pas përfundimit të procesit të numërimit të votave.
Sipas tij, Basha është kontradiktor në deklaratat që bën. Meçe u shpreh se deklaratat e kryetarit të PD-së zbërthejnë farsen e ankimit të tyre për zgjedhjet.
“Kjo deklaratë i hedh poshtë të gjitha. Basha është kontradiktor në deklaratat që bën. Opozita thotë kemi të dhëna që ka vjedhje, e ti SPAK duhet t’i vërtetosh. Por nuk bëhet kështu. Ndodhi njëherë në Dibër, ku Prokuroria vuri në përgjim vetëm anëtarë të Partisë Socialiste, e këtë donin të bënin edhe kësaj radhe. Por Prokuroria nuk bëri të njëjtën gjë, se nuk ka vetëm ankime, por duhen edhe prova. SPAK duhet të ndërtojë procesin vetëm kur i nis fakte, jo vetëm indicin që ka vjedhje”, tha Meçe.
Ndërsa duke folur për humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit, Meçe u shpreh se nuk është humbja e Bashës.
“Humbja nuk është e Bashës, por e gjithë strukturës. Basha nuk arriti kurrë që të prodhonte liderin e PD-së. E ka problemin te mënyra se si është organizuar. Basha ka konfirmuar se ka performuar shumë mirë. Basha ka dhënë prova se bën kompremisa, e prandaj duan dorëheqjen e tij. Është një kukull që e kanë krijuar, por struktura nuk është Basha. Ai që qëndron në krye të Partisë Demokratike është Berisha. Nuk është problem njerëzish në PD, por linja e tyre, e linjën e bën Berisha.”, tha Meçe.