Janë botuar sot në Fletoren Zyrtare ndryshimet dhe shtesat në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, të cilat do të hyjnë në fuqi në datën 8 tetor. Ndryshimet kanë rishikuar masat për neglizhencë në trajtimin mjekësor, ndërhyje në jetën private, shkelje e së drejtës së autorit, organizimin e lojërave të fatit, ndotjen e ajrit e tokës, braktisjen e kafshëve, dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore, goditjet dhe kanosjet për shkak të detyres etj.
Ndryshimet kanë ashpërsuar dënimet për importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve dhe mashtrimin me produktet ushqimore.
Ja disa nga ndryshime e bëra në Kodin Penal:
Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin
Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Po kjo vepër, nëse në lojë marrin pjesë persona nën moshën 18 vjeç, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet. Kur kjo vepër kryhet nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik, që ka lidhje me veprimtarinë e lojërave të fatit, dënimi me burgim shtohet me një të katërtën e dënimit të dhënë.”.
Goditjet për shkak të detyrës
Goditjet ose vepra të tjera dhune ndaj punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit publik, dënohen me burgim nga një deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj personit të zgjedhur apo funksionarit publik, për shkak të veprimtarisë së tij, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj punonjësit të policisë për shkak të veprimtarisë së tij dhe kur cilësitë e personit janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj profesionistit shëndetësor për shkak të veprimtarisë së tij dhe kur cilësitë e personit janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në mjediset e institucionit ku personi ushtron detyrën shtetërore, funksionin publik apo shërbimin publik, dënohet me burgim nga tre deri në pesë vjet.”.
Kanosja për shkak të detyrës
Kanosja serioze për vrasje apo për plagosje të rëndë, që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, dënohet me burgim deri në dy vjet.
Kur kjo vepër kryhet ndaj personit të zgjedhur apo funksionarit publik për shkak të veprimtarisë së tij, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj punonjësit të policisë për shkak të veprimtarisë së tij, kur cilësitë e personit janë të njohura ose të dukshme, dënohet me burgim nga dy deri në katër vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj profesionistit shëndetësor për shkak të veprimtarisë së tij, kur cilësitë e personit janë të njohura ose të dukshme, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet në mjediset e institucionit ku personi ushtron detyrën shtetërore, funksionin apo shërbimin publik, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.”.
Qetësia publike
Në nenin 274 “Prishja e qetësisë publike”, pas paragrafit të parë shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: “Ushtrimi i veprimtarisë ekonomike që lëshon/gjeneron zhurmë në kundërshtim me ligjin apo në tejkalim të normave të lejuara me ligj, që cenon dukshëm qetësinë në zona të banuara ose në mjedise publike, kur është marrë më parë masa administrative, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.”.
Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit
Vënia e pengesave ose ndalimi, me çdo mjet e mënyrë, i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.”.