Nga Mero Baze
Ka një përpjekje propagandistike për të bërë garë me objektiva deputetësh nga Edi Rama, apo me fallxhorë të opozitës, që shpallin se sa deputetë do të marrin, përpjekje e cila ka krijuar një kakofoni mbi gjendjen reale të elektoratit para zgjedhjeve. Dhe nuk dua ta shtoj më tej këtë gjë, duke bërë parashikime të reja.
Por ajo që duhet të them me siguri, është se njoh në Shqipëri plot qytetarë që hezitojnë të votojnë, edhe pse më parë kanë pasur një identitet votimi, si të majtë apo të djathtë.
Nëse duhet të bëjmë identiktin e një votuesi të majtë që tashmë heziton të votojë, si krye-arsye do të gjeja pandëshkueshmërinë e korrupsionit në këtë vend.
Pandëshkueshmëria ndaj klasës politike, në rastin konkret, zemërimi që qeverisja 7- vjeçare e Edi Ramës nuk ndëshkoi korrupsionin e Qeverisë së kaluar, është vendimtare.
Reforma në drejtësi dhe bllokimet e saj nga opozita, duken një farë alibie, pasi ajo që nuk ka parë votuesi i pavendosur, është vullneti për të goditur korrupsionin, qoftë dhe politikisht.
Me ndonjë përjashtim të rrallë simbolik, asnjë prej ministrave të Edi Ramës nuk ndoqi asnjë prej çështjeve korruptive për të cilat kishin akuzuar në opozitë, për ta çuar para drejtësisë.
Vetë fryma e Qeverisë së Edi Ramës, duket se ishte në një farë mënyre pajtuese me personazhet e mëdhenj të korrupsionit, të cilët dhe në shumicë mbetën në lojë. Pra asnjë politikan nuk u ndëshkua.
Po ashtu, asnjë aktor i tregut mediatik të korruptuar nuk doli nga loja për t’i hapur rrugë konkurrencës së lirë, përkundrazi po përpiqen të diktojnë linçime publike ndaj aktorëve të rinj.
Shikoni me çfarë agresiviteti opozita e Sali Berishës ka sulmuar ditët e fundit Carlo Bolinon, duke spekuluar sikur Qeveria i ka dhënë atij mbi 1 milard lekë, ndërkohë që bëhet fjalë për një nënkontraktim të një projekti nga një kompani private, ku ngatërrohet qëllimisht vlera e projektit, me fitimin.
Në kohë të Sali Berishës, ministri i Mbrojtjes ka urdhëruar Repartin “N”, siç emërtohen në këto raste repartet, t’i japë mbi 1 milion e ca dollarë Aleksandër Frangajt, për reklamë për repartin ushtarak.
Në cilin vend të botës një repart ushtarak paguan mbi 1 milion dollarë për t’i bërë reklamë vetes, ndërkohë që në fakt ushtria paguan të ruajë sekretin?!
Më pas ky personazh i shumëfishoi të ardhurat në qeverisjen “Rama” dhe u bë model nxitës për shumë biznesmenë që të bëhen pronarë televizionesh, duke vuajtur sot gjithë tregu i shtypit sindromin e tij.
Çdokush që ka një ëndërr për biznes korruptiv, ka marrë modelin e Frangajt, dhe, ose hap një medie, ose sponsorizon medie dhe tenton të bëjë biznes, duke ndotur kështu dhe konkurrencën, dhe klimën e biznesit.
Kulmi arriti tek familja Berisha, e cila duhet të ishte para drejtësisë, ndërkohë që riciklon lekët në një medie të shtrenjtë televizive, ku paguan figurantë televizivë, nga ata që i kanë përdor me radhë gjithë mafiozët e Shqipërisë, për të treguar se janë të paprekshëm.
Dhe të gjithë i vërsulen Mustafa Nanos, pse është vetvetja dhe thotë atë që mendon kur thirret në atë medie, dhe jo klounëve të një medie mercenare, që është e ngritur mbi paratë e gjakut dhe korrupsionit të këtij vendi.
Nuk ka vend në botë, që media e bazuar tek paratë e vrasësve politikë, hajdutëve dhe trafikantëve të drogës, të ngjallë shpresë për një botë më të mirë. Ato mund të bëjnë luftëra të egra, pasi dhe bandat vrasin njerëz, por nuk sjellin progres.
Shikoni se sa pak medie transmetuan lajmin se një gjykatë amerikane i quajti me vend gjithë akuzat mbi Shkëlzen Berishën rreth Gërdecit, për të parë sa të gjera janë tentakulat korruptive të Berishës mbi medien në Shqipëri. Fundi i botës është se Edi Rama ka shkuar dhe si i ftuar aty, “për t’i respektuar”.
Kjo ka bërë që në skenë të mbeten të njëjtët aktorë të historive korruptive të Berishës, të cilët krijojnë perceptimin se askush nuk u ndëshkua.
Për të kuptuar se nuk vlen argumenti i reformës në drejtësi, mjafton të shikosh rastin e Ilir Metës. Qeveria nisi një operacion për shkarkimin e tij në Parlament, dhe në fund për shkak të pazareve të vogla politike, ndryshoi kurs dhe i dha vërejtje me paralajmërim, duke gjetur ngushëllim tek rekomandimi i një miku të Ilir Metës në Komisionin e Venecias.
Qeveria dhe ashtu nuk e kishte në dorë shkarkimin e tij, se e ka Gjykata Kushtetuese. Ajo mund ta çonte deri në fund nismën duke e votuar në Parlament shkarkimin dhe ai le të mbrohej në Gjykatën Kushtetuese.
Kthimi gjatë rrugës i këtij vendimi është zhgënjyes për mbështetësit e Edi Ramës dhe triumfues për korrupsionin dhe monumentin e tij në Presidencë.
Dhe këtu nuk vlejnë argumentet juridike, se beteja është politike.
Edi Rama nuk ka zhgënjyer pse nuk ka bërë akte juridike që t’i ndëshkojë këto fenomene me burg. Nuk ka zhgënjyer pse nuk shkarkoi Metën apo pse nuk futi në burg hajdutë të Berishës, por pse nuk tentoi. Ai ka zemëruar mbështetës, se nuk ka bërë gjeste. Dhe kjo ka fyer plot qytetarë që e kanë votuar.
Do të mjaftonin aktorët politik të urryer, që ngjallin alergji në shoqëri, aktorët e tregut mediatik të korruptuar dhe biznesmenët që kanë qenë sekserë pushtetesh, që janë sërisht në lojë, për të formuar identiktin e qytetarit që ka votuar Edi Ramën, dhe tani heziton të shkoj në votime, pa votuar kurrë për Sali Berishën.
Nga ana tjetër, abstenuesi i Edi Ramës është më atipiku në botë, pasi është qytetari më i ndershëm, i cili refuzon Edi Ramën pse nuk ka ndëshkuar kundërshtarët e korruptuar të tij. Dhe kjo e bën më të pashpresë opozitën dhe gjithë shoqërinë. Për herë të parë në një vend qyetarët e ndershëm apo idealistët e ndëshkueshmërisë janë të papërfaqësuar.
Ndaj beteja është për zemërthyerit, që janë mërzitur pse nuk është në burg Berisha, Meta e kompani, dhe jo për atë që derdhin lot për Berishën, Metën e kompani. Ata janë fat i Edi Ramës.