Rritja e numrit të të infektuarve ka detyruar Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor të përforcojë kontrollet në terren në kuadër të zbatimit të protokolleve . Sipas drejtoreshës së ISHSH, Vjollca Braho, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve janë treguar neglizhentë ndaj rregullave të protokollit, prandaj ky institucion ka aplikuar dhe masat administrative ndaj tyre, bazuar në kriteret që përcakton ligji.
Sipas Brahos në këtë periudhë janë gjobitur 288 subjekte, me gjoba që kapin vlerat nga 10 mijë deri në 700 mijë lekë të vjetra. “Kemi realizuar mbi 74 mijë inspektime në të gjitha subjektet, në institucione shëndetësore, arsimore, publike e jo publike, shtetërore. Në fillim kemi vënë re një realizim të protokolleve, por pas hapjes pati një humbje vigjilence.
Në gjithë këtë periudhë ne kemi vendosur 288 gjoba dhe vendime për mbyllje të subjekteve. Subjektet që kanë realizim të pjesshëm të masave gjoba shkon nga 100-700 mijë lekë të vjetra, ndërsa te subjektet që nuk plotësojnë masat gjoba është 10 mijë lekë të vjetra”, deklaroi ajo. Sakaq ajo tregoi se vetëm këtë javë janë gjobitur 84 biznese, ku pjesa më e madhe u është vendosur fasonerive dhe call centerave, që janë dhe bizneset me rrezikshmëri më të lartë. “Vetëm gjatë kësaj jave ne kemi vendosur 84 masa administrative, ku 72 ishin gjoba dhe 12 subjekteve iu kemi mbyllur aktivitetin.
Aktivitetet e mbyllura kanë qenë në disa qytete, pjesa më e madhe kanë qenë fasoneri dhe call-center. Në fasoneri kemi kryer mbi 1 mijë inspektime, kemi vendosur 53 gjoba dhe vendime të ndërmjetme. Fasoneritë dhe call center punojnë me protokoll të kuq, pasi janë shumë të rrezikuara”, tha Braho. Ndërkohë , referuar protokollit, ajo rikujtoi bizneset se me patjetër duhet të kenë në ambiente një mjek, të kryejnë dezinfektim të herë pas hershëm dhe të sigurojnë distancimin mes klientëve dhe punonjësve.
“Te protokolli i kuq është detyrim ligjor që në këto subjekte të ketë një punonjës shëndetësor, në hyrje të subjektit, për të matur temperaturën. Kur rezulton që një punonjës e ka temperaturën mbi 37.5, ai nuk lejohet të futet në subjekt, por njoftohet menjëherë ose 127, ose qendra vendore e kujdesit vendor. Pastaj bëhet pjesa e dezinfektimit të ambienteve. Kontrollohet pjesa e dezinfektimit, pjesa e maskave dhe dorezave, distancomi, pozicioni që duhet të vendosen, ku njerëzit duhet të jenë me kurriz me njëri-tjetrin”, theksoi ajo.