Në librin e ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Bolton, Shqipëria përmendet një herë. Pikërisht kur përshkruhet nga autori samiti i vendeve të NATO-s në Bruksel në vitin 2017, ku u diskutua rritja e buxhetit të Aleancës nga 1.2 në 2 përqind, një kërkesë e përsëritur e Presidentit amerikan, për të cilën ai kërcënoi edhe me tërheqje të vendit të tij nga Aleanca e Atlantikut të Veriut.
Gjatë diskutimit 15 minutësh të Trump të risjellë prej Bolton në librin e sapodalë me kujtime të kohës së qëndrimit në krah të presidentit, Trump i referohet edhe Shqipërisë.
Sipas përshkrimit të autorit të ‘Dhoma ku ndodhi’ (The room where it happened”), Trump thotë se vetëm Shqipëria e ngriti çështjen e tregtisë së lirë mes Amerikës dhe Europës. Kjo ishte në vijë me ankesën e Trump se mallrat amerikane pengoheshin të hynin në Europë.
“Fakti që udhëheqësi i një vendi të vogël si Shqipëria, i cili nuk është anëtar i BE, por adreson një çështje e cila është delikate për europianët, por i intereson Trump, dëshmon për përpjeket e kryeministrit Rama ‘për t’i hyrë në qejf’ Presidentit amerikan. Katër vjet më parë, kur Trump ishte kandidati Republikan për në Shtëpinë e Bardhë përballë Hillary Clinton, kryeministri shqiptar e pati quajtur ‘turp të qytetërimit’.