Partia Demokratike e ka pranuar hapur se ka ngritur grupe paralele me policinë e prokurorinë për mbrojtjen e votës. Edhe pse kanë kaluar mbi 20 vite nga vitet e mbrapshta 1997-1998, PD është rikthyer te grupet paramilitare duke anashkaluar strukturat ligjzbatuese. Dje shumë eksponentë të kësaj partie e kanë pranuar se kanë krijuar Strukturat e Mbrojtjes së Votës (SMV) në të gjithë qarqet e vendit.
Të mërkurën ishte kandidati i PD në Elbasan që e pranoi ekzistencën e strukturave, ndërsa dje ishte kandidatja Albana Vokshi që tha të njëjtën gjë në një intervistë. Sipas Vokshit, Strukturat e Mbrojtjes së Votës janë të përbëra nga profesionistë të cilët sigurojnë prova dhe denoncojnë krimin elektoral.
“Në mungesë totale të institucioneve shtetërore, të shtetit për të mbrojtur votën, atëherë pranë PD-së janë krijuar struktura të posaçme të përbërë nga profesionalistë të fushës, të cilët vullnetarisht po punojnë në mënyrë të organizuar në shtabe për të marrë informacione, për të siguruar dhe denoncuar atë që quhet krim elektoral. Nuk janë të armatosur. Ata që kanë leje në mënyrë të ligjshme mund ta mbajnë armën”, tha Vokshi.
Detajet
Gazeta ka mësuar se puna për krijimin grupeve paramilitare ka nisur që në muajin tetor. Personi që dyshohet se fshihet pas gjithçkaje është Agron Kuliçaj, ish-zv/drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Dje në Elbasan u arrestuan 10 anëtarë të grupit paramilitar të PD dhe që të gjithë janë ish-efektivë policie, që kanë qenë pjesë e strukturave të rendit në kohën e Kuliçajt.
Mësohet se pak muaj para zgjedhjeve janë identifikuar të gjithë anëtarët që janë ish-policë e ish-ushtarakë dhe më pas u është kërkuar të bëhen pjesë e këtyre strukturave. Ndërkohë janë kontaktuar dhe individë të tjerë profesionistë, si rasti i Arbër Paplekajt, i cili rreth 2 muaj kishte që ishte bërë pjesë e grupit të PD në Elbasan. Në Elbasan u arrestuan anëtarët e SMV dhe rezulton se Paplekaj është ish-pjesëtar i RENEA. Po ashtu u arrestuan Emiljan Prenga, ish-polic; Nuredin Kasma, ish-polic; Pavlo Vuksani, ish-polic dhe Arjan Hoxha, ish-drejtori i Burgjeve. Pra në grupin e Elbasanit, 4 emra janë ish-pjesëtarë të forcave të rendit. Po ashtu dyshimet janë se kanë qenë të gjithë të armatosur pasi duke qenë se kanë qenë ish-policë e kanë të lehtë të pajisen me armë me leje, si rasti i Paplekajt. Por gazeta ka mësuar se grupe identike janë krijuar në të 12 qarqet e vendit dhe bëjnë patrullime ditë e natë ku kontrollojë makina e individë. Ndërkohë mësohet se policia pas ngjarjes në Elbasan ka marrë urdhër që t’i monitorojë që të gjithë, ndërsa po ashtu u është kërkuar të jenë të kujdesshëm pasi grupet në fjalë mund të jenë të armatosur.
Goditja ndaj Bardhit
Ngritja e grupeve paramilitare duket se është dorë e Berishës dhe e Ilir Metës. Kuliçaj ka qenë personi më i besuar i ish-kryeministrit dhe të njëjtën skemë ai ka përdorur dhe në zgjedhjet kur ishte drejtues i PD. Por pse u zgjodh Elbasani? Dyshimet janë se ka qenë një skenar i mirëmenduar ndaj krahut të djathtë të Lulzim Bashës, Gazment Bardhi. Ky i fundit ishte projektuar për ministër të Brendshëm, ndërsa LSI lakmon këtë post. Po ashtu Basha u ka dhënë goditje të fortë Metës e Berishës duke mos i lejuar të jenë pjesë e fushatës së tij. Duket se në këtë konflikt në prapaskenë kanë hyrë grupet paramilitare të njerëzve të Berishës, të cilët dogjën Gazment Bardhin. Nëse shihen reagimet në rrjetet sociale ndaj tij ka pasur pafund kritika duke rënduar jashtë mase pozitat.