Pas publikimit të listës së dezhurnit që drejtuesit e PD duhet të bëjnë para Teatrit Kombëtar në dy javët që vijnë, Jari ka marrë shumë mesazhe shqetësuese, që nuk ishte i përfshirë në listë. Binte në sy se nga lista ishin hequr gjithë njerëzit që kritikojnë Bashën, apo nuk janë dakord me qëndrimet e tij të fundit. Ndaj Jari vendosi të sqarojë demokratët, se ky shqetësim nuk është serioz:
Të dashur demokratë,
Jari ju sqaron!
Kam marrë shumë mesazhe që shprehin shqetësimin e demokratëve, përse unë nuk jam llogaritur si dezhurn në Teatër këto dy javë.
Së pari, unë jam president i Këshillit Kombëtar dhe si i tillë, nuk mund të planifikohem për dezhurn, por për ngjarje finale.
Fjala vjen, ditën që mund të prishet Teatri, unë do të jem aty në krah të zotit Basha për të bllokuar fadromat, ose gjëra të tilla.
Së dyti, meqë toka fqinje me Teatrin ka qenë e fisit të gruas sime, dhe jam akuzuar se dhe unë dua të ndërtoj diçka aty, Luli e ka parë të arsyeshme të mos më përbaltë në këtë histori, pasi gati janë gojët e liga në këto raste.
Së treti, dua të them se zoti Basha ka respektuar periudhën time fizike të plazhit nga 1 deri më 15 gusht, që më ka mbetur prej kohës që isha president.
Kjo periudhë përkon me konfliktin tim të vjetër me Edi Ramën, i cili më zinte gjithmonë shezlongun në Dhërmi, dhe unë mbetesha rrugëve nga “Rëna e Hedhun” për plazh.
Zoti Basha me sa duket ka parasysh këtë fakt.
Së fundmi, duhet të them se ndjehem mjaft i respektuar nga zoti Basha, pasi për çdo vendim të tij, konsultohet me mua.
Dua t’iu bëj me dijeni se ndërkohë që ai po vazhdon turin në jug të vendit, më telefonon vazhdimisht dhe më tregon ku është, me kë është dhe çfarë po bëjnë.
Dje për shembull, më tregoi se kishte bërë një sondazh dhe dilnim fitues të sigurtë në zgjedhje, ndaj zgjedhjet duhen bërë sa më shpejt.
I gëzuar siç isha, e pyeta:
-Me Edi Ramën kryeministër, apo pa Edi Ramën?
-Po natyrisht pa Edi Ramën kryeministër, më tha, se me atë nuk fitohet.
Dhe i dhashë të drejtë e do ta mbështes deri në fund.
Pa Edi Ramën kryeministër, PD është e sigurtë që fiton, dhe këtë e tregojnë sondazhet, por dhe protesta tek Teatri Kombëtar.
I juaji, Jari!”