Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi zbardhi ditën e djeshme arsyen se pse Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan kërkon vazhdimisht nga Shqipëria ekstradimin e gylenistëve. Vetëm dy ditë më parë ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama, në fokus të së cilit ishin pikërisht gylenistët. Sipas informacioneve, ai kërkoi nga i pari i qeverisë ekstradimin e përfaqësuesve të shoqatave të Gylen dhe të mbyllen të gjitha institucionet e drejtuara prej tij.
Por kjo nuk është hera e parë që Turqia e artikulon një kërkesë të tillë për qeverinë shqiptare. Sipas Fatos Klosit, një këmbëngulje e tillë e Erdogan vjen sepse ky i fundit kërkon të tregojë që askush që ka shkelur ligjet turke, nuk do të shpëtojë dot duke u strehuar jashtë vendit. Për ish-kreun e SHISH, Presidenti i Turqisë kërkon të përçojë një mesazh për kundërshtarët e tij. “Ai kërkon kundërshtarët e tij. I quan ata si kundërshtarë dhe kërkon t’i ketë nën kontroll. Ai madje do të japë edhe një mësim, dëshiron të thotë që të gjithë ata që shpresojnë se mund të fshihen jashtë, unë kam arritur të marr ata që janë jashtë dhe t’i kthej brenda në Turqi, jo më kundërshtarët e mi që shpresojnë se do të kenë mundësi të ikin jashtë për të shpëtuar”, tha Fatos Klosi. Ai e quajti të tepërt kërkesën e Turqisë për ekstradimin e gylenistëve. Klosi theksoi se gylenistët në vendin tonë kanë kohë që jetojnë dhe aktiviteti i tyre është i mirë-kontrolluar. “Nuk është e arsyeshme kërkesa e Turqisë. Është një kërkesë e tepërt sepse ata janë prej shumë shumë kohësh në vendin tonë. Ata punojnë këtu, dihet me se merren, dihet si e justifikojnë gjendjen në Shqipëri, aktiviteti i tyre është i monitoruar. Ka nga ata që janë nëpër shkolla, janë mësues dhe kontributi i tyre në grushtin e shtetit me siguri ka qenë zero sepse ne në asnjë mënyrë nuk do t’i mbështesnim tendencat autoritariste të presidentit turk. Më duket e tepërt pak”, sqaroi Klosi.
Rasti i Kosovës
Duke përmendur rastin e Kosovës, ku u arrestuan dhe u ekstraduan 6 gylenistë, ish-kryetari i SHISH deklaroi se Shqipëria nuk duhet të ndjekë të njëjtën metodë. Ai u shpreh se nëse turqit do të paraqesin prova për ekstradimin e gylenistëve në Shqipëri, atëherë ky proces duhet të kryhet rast pas rasti dhe jo në bllok. “Unë them që qeveria shqiptare duhet të vijojë me qëndrimin që ka mbajtur deri tani. Duhet refuzuar kërkesa e Turqisë. Në të vërtetë, nuk duhet pranuar kërkesa për ekstradim në bllok. Unë do të thosha që në rast se turqit vërtetë kanë argumente, kanë prova që ata kanë shkelur ligjet e Turqisë, konsiderohen si kriminelë në Turqi, ajo pastaj le të bëhet në bazë të një marrëveshje ekstradimi dhe ekstradimet të bëhen rast pas rasti, jo të gjitha përnjëherë. Unë nuk do të isha që të jepet një përgjigje në bllok. Pse? Sepse edhe ne kemi nevojë për turqit, edhe ata, është një marrëdhënie reciproke. Kështu që zgjidhja më e mirë do të ishte rast pas rasti. Çdo rast të trajtohet si rast më vete. Unë nuk dua që në Shqipëri të ndodhë njësoj si në Kosovë”, tha Fatos Klosi. Sipas tij, një vend si ky i yni që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të priret nga ligjet dhe provat dhe jo nga kërkesat e Erdogan. “Duhet thënë që ne jemi vend që pretendojmë të futemi në BE dhe normat e BE nuk i bëjnë kaq të kollajshme këto gjëra që thjesht kërkon ministri i Brendshëm. Këto gjëra në Perëndim i bën gjyqësori, ai vendos të kërkojë përmes Ministrisë së Drejtësisë për një ekstradim. Ekstradimet i ka në dorë gjyqësori, jo qeveria. Ky do të ishte një argument për të thënë që s’është aq e kollajshme. Mund të kërkojë Erdogan ekstradim, por Erdogan nuk njihet si ndonjë demokrat i madh”, u shpreh Fatos Klosi. /Mimoza Ibra