Shkencëtarja mediokre, Belinda Balluku, së fundi i është lënë si detyrë të ndaj shqiptarët në ata që kanë dhe nuk kanë, pra të kamur dhe skamur, edhe pse një gjë të tillë e ka bërë INSTAT, e cila dëshmon se shqiptarët janë qytetarët më të varfër në rajon dhe kontinent.
Në fakt edhe INSTAT “gënjen”, se shqiptarët nuk janë të varfër… por atyre u vidhet çdo kacidhe që e ndërtojnë me mund e me djersë, duke u futur duart në xhep e kuleta, e duke i rrjepur e zbrazur si të babëzitur deri në frymën e fundit pikërisht nga kjo tufë çakenjsh që mundohen të fshihen pas buzëqeshjes që var kombin në litar. Rroftë goja e çakenjve!
E kjo histori paska pas kësmet të përsëritet nga po këta dinakë, halabakë, hajdutë, horra e sorra… ndërsa ne shohim çakërqejf se si çakalli vë buzën në gaz!
Madje është shumë e freskët për ta harruar se si, kryeministri përbetohej, se nuk mund të hiqte dot asnjë taksë prej çmimit abuziv të karburantit, pasi ato para i nevojiteshin për të paguar faturën e papërballueshme të energjisë elektrike të shqiptarëve, në kulmin e krizës së energjisë.
Sot, qeveria nisi “studimin” e shqiptarëve të pasur dhe rezultatet e studimit do të përcaktojnë pikërisht kush janë familjet që harxhojnë më shumë se 700 kilovat/orë në muaj, të cilët do të paguajnë më shtrenjtë energjinë, e cila deri dje do mbetej e pandryshuar.
Por në fakt qeveria duhet të angazhohet më shumë për hajdutët dhe abuzuesit e enegjisë elektrike, që nuk janë familjet shqiptare, por Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, që të “vret natën e të qan ditën” me Kryeministrin Edi Rama dhe me shkencëtaren Belinda Balluku, e cila sipas dokumentave vetëm për periudhën Mars-Prill, ka humbur 1.5 milion euro.
KESH shpesh bënë pirueta nën emrin e shkëmbimit të energjisë me kompani private, duke humbur miliona euro, sikurse dhe rastet që do të paraqesim mëposhtë, që janë një nga format më të pastra të abuzimit dhe korrupsionit që ndodh në sistemin energjetik të vendit. Në tabelën mëposhtë provohet se si vidhet energjia elektrike nga KESH përmes një kontrate shkëmbimi.
Në 4 tetor 2021, një ditë pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, nga ora 17 deri në orën 23 të mbrëmjes, KESH i ka dhënë kompanisë NOA Energy, saktësisht 1807 megavat energji. Siç tregohet nga tabela në foto, energjia është dorëzuar e gjitha në periudhën pik, ku çmimi në bursën hungareze për ato orë në atë datë ka variuar nga 206 deri në 271 euro për megavat. Në të njëjtën ditë, NOA i ka kthyer KESH-it mbrapsht 817 mega vat energji, por kthimi i energjisë është bërë nga ora 1 e natës deri në 6 të mëngjesit. Në orët që NOA i ka kthyer energjinë KESH-it, çmimi në bursë në atë datë ka variuar nga 50 deri në 150 euro për mega.
E njëjta skemë identike është aplikuar çdo ditë nga qershori deri në tetor. KESH i ka dhënë energji NOA-s në periudhën pik, kur çmimet janë në stratosferë, ndërsa NOA këtë energji e shet me çmim të lartë dhe më pas e blen gjatë natës me çmim të lirë për t’ja kthyer KESH-it. Për periudhën nga 1 tetori deri në 13 tetor KESH i ka dhënë NOA-s në total 10 mijë e 417 mega vat energji, të cilat në orët e dorëzuar sipas çmimeve në bursë kanë patur një vlerë totale prej 2 milionë 620 mijë eurosh. Për të njëjtën periudhë NOA i ka kthyer KESH-it mbapsht 12 mijë e 200 mega vat energji, të cilat në profilet kur janë dorëzuar kanë patur një vlerë totale prej 1 milionë 557 mijë euro. Pra në vetëm 10 ditë shkëmbime, Kaskadës së Drinit i janë vjedhur gati 1 milionë e 100 mijë euro.
Kontrata e shkëmbimit të energjisë është iniciuar nga ish drejtori i KESH, Benet Beci që sot mban postin e deputetit për Partinë Socialiste, por firmën finale në të e ka hedhur Besjan Kadiu, i cili u komandua në krye të KESH për një periudhë të shkurtër, pasi Benet Beci kandidoi për deputet. Por kjo kontratë, implikon disa zyrtarë dhe institucione njëherësh, përfshirë Autoritetin e Konkurrencës.
Në tjetër abuzim provohet sipas dokumenteve të sigurura rezulton se KESH ka hapur një procedurë për shitjen e 11 800 MWh energji, për datat 1 dhe 2 prill, ndërkohë që të furnizojë vendin me energji në këto data ka blerë në datën 28 Mars-2 Prill 11 000 MWh energji kundrejt shumës 3.2 milion euro.
Çmimi mesatar me të cilin është blerë energjia është 290 euro/MWh, ndërsa çmimi i energjisë në bursa ka nisur një trajektore rënëse. Në fund të procedurës KESH e ka shitur energjinë kundrejt një çmimi mesatar prej 150 euro/MWh, duke arkëtuar vetëm 1.7 milion euro. Vetëm nga këto dy transaksione KESH ka humbur 1.5 milion euro!
Vetëm këto dy dokumenta, do t’i mjaftonin SPAK për t’i nisur hetimin dhe për t’i dhënë fund abuzimit dhe vjedhjes që bëhet me anë të energjisë elektrike nga KESH, i cili i shkakton dëm shtetit qindra miliona euro. E deri sa SPAK dhe Arben Kraja i vilave të Gjirit të Lalëzit me djersën e ballit… të flenë gjumë dhe udhëheqësit e protestave të “mbyllën gojën” për një kafshatë nga çorbë e prishur, çakenjtë e atdheut të veremosur do të hedhin valle mbi kufoma viktimash nga punë e pisët!/Ekskluzive.al