Këshilli i Lartë Gjyqësor ka fundosur presidentin Ilir Meta. Për sa kohë ky i fundit ishte në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, skandalet vijonin të ishin të njëjta si në kohën e Bujar Nishanit. Me dhjetra gjyqtarë të kapur në shkelje nuk u shkarkuan nga KLD, ndërsa inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë gjatë tre viteve të fundit nuk bënë asnjë inspektim, duke u paguar me taksat e qytetarëve.
Dy ditë më parë Komisioni i Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” zhvilloi një seancë dëgjimore me Kryetaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami. Anëtarët e Komisionit i drejtuan kryetares së KLGJ një sërë pyetjesh, për të cilat ajo u përgjigj një për një. Por aty u zbulua se KLGJ ka tashmë një dosje me të gjitha skandalet e KLD, kur kjo e fundit drejtohej nga Ilir Meta.
Dosje me skandalet e Metës në krye të KLD
Kryetarja e KLGJ bëri me dije se është zhvilluar një audit në KLD dhe janë gjetur shumë shkelje, sidomos me funksionimin e Inspektorati të KLD. Llagami theksoi se në kontrollet e zhvilluara gjatë periudhës së tranzicionit, ekspertët të KLGJ u asistuan nga ekspertë të EURALIUS dhe OPDAT, duke vënë në dukje faktin se gjatë ekzistencës së saj, KLD ka pasur shumë shkelje. Ajo deklaroi se shumë dosje me skandale janë evidentuar, duke veçuar faktin se mes tyre ishte emërimi apo mbajtja në detyrë në shkelje të ligjit të dy inspektorëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas saj edhe pse ligji e ka taksativ se inspektorët duhet të jenë magjistratë, dy prej tyre nuk e plotësonin këtë kriter, duke qëndruar në punë në shkelje të ligjit.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor kaloi një periudhë tranzicioni. Pra, shumë dosje dhe burimet njerëzore kaluan nga ish-KLD tek KLGJ. Ne kemi bërë audite dhe kemi gjetur shkelje. Ndërkohë kemi kërkuar asistencë për rolin e inspektorëve të KLD dhe jemi mbështetur nga EURALIUS dhe OPDAT. Kemi verifikuar statusin e 4 inspektorëve, ku në raportin e fundit të datës 22 tetor janë gjetur shkelje. Më konkretisht dy nga inspektorët nuk kanë pasur statusin e magjistratëve, duke qëndruar në detyrë edhe pse ligji e ndalon dhe thotë se ata duhet të jenë magjistratë. Ndërkohë për dy të tjerët jemi duke pritur përgjigje. Këta të fundit do të qëndrojnë deri në momentin e ngritjes së Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. KLD nuk ka funksionuar se duhej. Por ne jemi të vendosur për ta reformuar gjyqësorin dhe po i japim një frymë të re Këshilli të Lartë Gjyqësor, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”, deklaroi ajo. Këto shkelje të bërë publike nga kryetarja e KLGJ, janë vetëm disa nga shumë shkeljet që gazeta ka bërë publike më herët të bëra nga Ilir Meta gjatë kohës që ishte në krye të KLD.
Meta nuk bllokon dot Gjykatën e Lartë
Anëtarët e Komisionit të Pavarur për Koordinimin e pyetën kryetaren, Naureda Llagami për ecurinë e procesit të plotësimit të vendeve të lira në Gjykatën e Lartë me anëtarë nga jashtë gjyqësorit. Zonja Llagami theksoi se brenda muajit nëntor do të përfundojë faza e parë e verifikimit pasuror të 8 kandidatëve të mbetur në garë për 4 pozicione. “Në total ishin 23 kandidatë, nga të cilët 4 u tërhoqën, 1 kandidat u skualifikua pasi ishte i lidhur me politikën, ndërsa 10 kandidatët u skulifikuan për mos pasjen e gradës shkencore.
Kështu që, mendoj se brenda muajit nëntor mbaron procedura e verifikimit të pasurisë dhe figurës së 8 kandidatëve jogjyqtarë për 4 vende të juristëve të spikatur në Gjykatën e Lartë. Më pas, do të vijojmë me procedurën e pikëzimit dhe renditjes”, u shpreh ajo. Ndërkohë, zonja Llagami zbuloi edhe strategjinë që do të ndjekë KLGJ për ngritjen e Gjykatës së Lartë, duke qenë se është Presidenti i Republikës ai që i dekreton ata. Në këtë kontekst, kryetarja e KLGJ theksoi se kreu i shtetit ka 10 ditë kohë për t’u shprehur, nëse ai refuzon t’i dekretojë kandidatët që i ka dërguar KLGJ, kjo e fundit do të mblidhet sërish dhe emrat që do marrin më shumë vota do të zgjidhen automatikisht anëtarë të Gjykatës së Lartë. “KLGJ do ia përcjellë presidentit, ai mund shprehet me dekret brenda 10 ditësh. Po refuzoi Meta, KLGJ rivoton dhe emërohen kandidatët me më shumë vota”, nënvizoi Llagami./Rigels SELIMAN