Skandali me shtetësitë rrezikon t’i kushtojë shtrenjtë presidentit Ilir Meta. Që në verë gazeta “SOT” hodhi dyshime mbi batërdinë me pasaportat, ndërsa ditët e fundit kanë dalë në skenë dhe skandale të tjera, sidomos ajo me futbollistin e Tiranë, Kobina.
Komisioni i Sigurisë ka nisur një proces hetimor ndaj presidentit, ku pritet që të mbahen seanca dëgjimore me SHISH, Ministrinë e Brendshme e përfaqësues të Presidencës për të arritur në një konkluzion nëse kemi shkelje të ligjit nga presidenti, nëse po a kanë dhe institucione të tjera të përfshira, etj.
Gazeta ka mësuar se nëse komisioni konstaton se kemi të bëjmë me shkelje ligjore, atëherë në fund të punës do të bëhet një padi në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit, e cila do të duhet të hetojë më thellë nëse kemi vepër penale apo jo.
Pra rruga do të jetë e njëjtë me atë që ndiqet në raste e komisioneve hetimore. Si shembull mund të marrim rastin e komisionit hetimor “Balla”, i cili hetoi rastin e CEZ dhe në fund dorëzoi një padi penale ndaj ish-kryeministrit Berisha dhe disa ish-ministrave të tij. Por duket se e njëjta rrugë do të ndiqet dhe me rastin e presidentit.
Reagon juristi Kara
Lidhur me skandalin e shtetësive ka folur për gazetën “SOT”, juristi Romeo Kara. Ai është shprehur se vetëm nga një vëzhgim i thjeshtë duket qartë se kemi shkelje të ligjit. “Së pari duket qartë se presidenti Meta i ka dhënë vetes kompetenca ligjore të cilat nuk i ka. Ligji për dhënien e shtetësisë ai që ka qenë si dhe ky i riu, nuk parashikojnë kurrsesi anashkalimin e procedurave të sigurisë si në rastet e zakonshme ashtu edhe në ato të veçantat.
Si për ta provuar anashkalimin e këtyre procedurave, sot Presidenca deklaron se, presidenti ka marrë në konsideratë kërkesën e institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës lidhur me një rast të caktuar. Kurrkund në asnjë ligj nuk parashikohet se i lejohet presidentit të marrë të tilla konsiderata apo të uzurpojë kompetencat e strukturave përkatëse ligjore që merren me certifikim e sigurisë në lidhje me kërkesat për nënshtetësi.
Presidenti mund të jetë i pari i vendit, por në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ai duhet të ushtrojë vetëm ato funksione të cilat ia njeh ligji. Në këtë rast Presidenti i Republikës së Shqipërisë i ka tejkaluar kompetencat e tij. Konsideratat e tij, nuk janë dhe nuk mund të jenë të barazvlefshme me certifikatat e sigurisë”, tha juristi Kara.
Korrupsioni presidencial
Juristi i ka drejtuar disa pyetje presidentit, ndërsa është shprehur se ai do të vijojë të mbetet ndër politikanët më të korruptuar Kara është ai që denoncoi skandalin CEZ ku dyshohet se është i përfshirë dhe Meta. Sipas tij, ai duhet të ndëshkohet me burg. “A e ka bërë Meta këtë tejkalim kompetencash për para?
Unë personalisht nuk kam fakte dhe prova, por gazetari investigativ Adriatik Doçi ka përmendur disa shifra marramendëse lidhur me këtë aferë. SPAK duhet patjetër të hetojë, të dalë nga sqetulla e Metës dhe të mos fshihet mbas gishtit.
Çfarë unë jam i bindur të besoj është se: Meta nuk njeh mënyrë tjetër pune dhe qeverisjeje. Ai u plak duke vjedhur, gjë që e bën të besueshëm çdo akuzë kundër tij. Zanatin e korrupsionit ai e kishte perfeksionuar përpara se të bëhej president dhe personalisht i referohem aferës DIA-CEZ, ku miku i tij Ismailaj besoj se i ka paraprirë burgimit të ardhshëm të Metës. Pra, fatkeqësisht pazari politik i vitit 2017 na bëri peshqesh një hajdut për president. Për ta mbyllur: Meta nga zullumi erdhi dhe me zullume po vazhdon”, tha ai.