“Kolaudimi tek shteti. Shërbim publik cilësor, në standard dhe më i lirë, koncesioni Berisha dhe Meta mbaroi”, deklaroi sot zëvendëskryeministri Erion Braçe.
Braçe duke iu referuar lajmit të mirë të njoftuar mëngjesin e sotëm nga kryeministri Edi Rama, cilësoi se shërbimi do i kalojë shtetit nga 1 janari dhe do të sjellë risi e lehtësi për drejtuesit e mjeteve.
Braçe theksoi se procesi ka nisur dhe SGS po bën dorëzimet e koncesionit.
“Është një inventar që dëshmon jo vetëm dështimin katastrofik të koncesionit Berisha-Meta, por po të hetohet do dëshmojë një krim të shumëfishtë mbi qytetaret, jetën e pronën e tyre, mjedisin gjithashtu”, theksoi Braçe.
“Prej ditës kur e sollën në Kuvend përmes qeverisë së përbashkët Berisha-Meta, krijova bindjen se jo vetëm që shërbimi nuk do të përmirësohej, behej më cilësor por thjesht do të transferohej korrupsioni banal nga një dorë në tjetrën. U provua i tillë.
Aq i madh ishte korrupsioni aty, sa kur unë e kolegu Shalsi provuam në mandatin e parë ta thyenim monopolin e këtij koncesioni me amendim ne Kuvend. Skena aty mes ministrit te linjës dhe kryetarit te Kuvendit ishte banale, madje desh rrëzoi qeverinë”, tha ai.
Bo ashtu Braçe shtoi se nuk ndihet i kënaqur që gjithë çfarë thamë në opozitë është provuar.
“Jo, dua hetim të qartë pas dorëzimit të koncesionit për gjithë ç’ka ndodhur me koncesionarin dhe kontratën, zbatimin e saj.
Sot, jam i kënaqur që ne po mbajmë fjalën, kthejmë si shërbim publik një shërbim masiv për qytetarët përmes një prej agjencive publike më të mira.
Nuk e fsheh, unë besoj tek shërbimi publik. Dua pafund që edhe një herë të tregojmë se një shërbim publik është ligjor, korrekt, cilësor, i barabartë, i ndershëm dhe më i lirë për shqiptarët”, vuri në dukje ai.
“E di që tani do turren nga një i majtë i rigjetur si Bushati etj, e do revoltohen. Pse se bënë me parë. E di që tani do turren dhe te interesuarit privatë që nuk bëjnë asgjë më shumë se sa transferojnë korrupsionin, do sulmojnë vendimin, agjencinë, individët.
Por betejë është kjo. Nuk duhet te dorëzohemi. Interesat politike e privatë të tilla janë. Shqiptarët duhet të shohin ndryshim, e kërkojnë nga ne. Siç kërkojnë shërbim publik tani, përsëri nga ne e jo nga shtëpia e hajdutëve PD-LSI”, tha ai.