Konflikti mes mazhorancës dhe Presidencës duket se do të ketë ndikim në procesin e integrimit. BE hapi negociatat por ka vënë një sërë kushtesh. “European Western Balkans “ i ka kushtuar një artikull raporti të BE për vendin tonë, duke analizuar kushtet bazë, nga reforma zgjedhore, te lufta ndaj korrupsionit dhe reforma në drejtësi.
Por sipas portalit, ngritja e Gjykatës Kushtetuese shihet me shumë rëndësi nga Brukseli, por ajo është jo funksionale për shkak të konfliktit mes qeverisë dhe Presidentit. “Emërimi i tre gjyqtarëve vitin e kaluar solli një përplasje tjetër midis Presidentit Meta dhe partisë në pushtet, pasi deputetët socialistë akuzuan Presidentin për shkelje të rregullave të emërimit, duke zgjedhur një kandidat të renditur fillimisht në vendin e katërt nga Këshilli i Emërimeve të Drejtësisë. Kjo çështje u bë dhe objekt i Komisionit Hetimor.
Më pas ju kërkua Komisionit të Venecias një opinion, i cili këtë herë vlerësoi se veprimet e Metës ishin në përputhje me Kushtetutën dhe se nuk ka bazë për shkarkimin e tij. Ashtu si në shumë çështje të tjera, vendimi final për shkarkimin e presidentit do të merret pasi të marrë fund kriza e koronavirusit, pasi afati i komisionit hetimor u zgjat sërish javën që shkoi”, thuhet në artikull.
Më tej theksohet se lufta ndaj korrupsionit është një tjetër kusht thelbësor për integrimin. BE ka kërkuar që SPAK dhe BKH të jenë tërësisht funksionale dhe të mos kursejnë korrupsionin në nivele të larta. “Në Dhjetor 2019, tetë nga pesëmbëdhjetë Prokurorët Specialë u betuan, ndërsa i nënti, Doloreza Musabelliu, u betua në 31 Janar 2020. Po ashtu u zgjodh edhe Kryetari i Prokurorisë Speciale. Kur bëhet fjalë për pjesën tjetër të SPAK, pra Byronë Kombëtare të Hetimit, drejtuesi i saj pritet të zgjidhet së shpejti”, thuhet më tej në artikull.