Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procedurat për të shqyrtuar ligjshmërinë e mandatit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Gazeta e paralajmëroi pak ditë më parë se anëtarët ishin duke diskutuar për këtë çështje, por dje është konfirmuar zyrtarisht.
Ka qenë anëtari i Komisionit të Sanksioneve dhe Ankesave në KQZ, Ledio Braho, ai i cili në një studio televizive duke folur mbi debatin e ndryshimit të datës së lindjes nga ish-kryeministri, ka thënë se për rastin e tij kanë nisur procedurat dhe me shumë gjasë në fund do të jetë KAS që do të vendosë.
“Kjo është një çështje që mund të vijë për shqyrtim në KAS. Rruga është përmes KQZ, është ai që merr një vendim. Rasti i fundit që pati vendimmarrje nga KAS është rasti i fundit i kryebashkiakut të Mallakastrën. Ai s’kishte deklaruar një akuzë të ngritur ndaj tij. Ai u shfajësua nga akuza, unë isha kundër në fakt, por vendimi u mor me shumicë votash. Mbetet për tu parë nëse mund të ngrihet kjo çështje.
KQZ në dijeninë time ka iniciuar procedura”, tha ai. Pra KQZ ka hapur dosjen për ish-kryeministrin, ku së pari po shihet rasti i mosdeklarimit të ndryshimit të datëlindjes, por nga ana tjetër kemi dhe rastin e shpalljes “non grata”. KQZ në rastin e Tom Doshit u vu në lëvizje dhe në atë kohë kërkoi ndihmën e prokurorisë.
Sipas burimeve edhe ne rastin e Berishës pritet të ndiqet e njëjta rrugë, ky do kërkohet verifikim nga organi i akuzës. Ky i fundit do të kontaktojë me ambasadën e SHBA për të marrë të dhëna mbi Berishën dhe në fund do vendoset nëse do të kemi apo jo heqje mandati.
Parashikimet në ligj
Ligji i dekriminalizimit është fokusuar kryesisht te personat e dënuar, mirëpo ka dhe një përcaktim ku ndalon kandidimin e individëve që janë dëbuar nga shtetet e BE, SHBA, Kanadaja dhe Australia. Bëhet fjalë për nenin 2, pika 2/b i cili thotë: “Ndalimi i parashikuar nga pika 1, e këtij neni, zbatohet edhe ndaj personave: që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, në lidhje me një prej rasteve të parashikuara në pikën 1, shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të këtij neni, apo janë dëbuar për cenim shumë të rëndë dhe serioz të sigurisë publike të shtetit përkatës”.
Pika 1 që përmendet aty ka të renditura veprat penale që nëse janë kryer nga një individ atij i ndalohet kandidimi. Përveç shumë veprave penale, aty janë dhe nenet 244, 245, 248, 248/a, 259, 260, 319, 319/ç që kanë të bëjnë me korrupsionin. Nëse shohim vendimin e DASH, Berisha akuzohet për korrupsion. “Akte korrupsioni të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri.
Unë shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi bashkë kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”, shprehej Sekretari Amerikan i Shtetit. Pra ligji i dekriminalizimit ka hapësira që mundësojnë largimin me forcë të Berishës nga Parlamenti. Precedenti “Doshi” pritet t’i kthehet në bumerang PD-së dhe ai që do e pësojë është ish-kryeministri.