Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të testojë në Tiranë procesin e votimit elektronik. PD-PS-LSI kishin përplasje të forta mes tyre, pasi mazhoranca kërkonte testim në Fier dhe Tiranë, ndërsa opozita në Korçë dhe në Fier.
Megjithatë në fund kanë triumfuar socialistët. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka deklaruar në mbledhjen e fundit se është arritur dakordësia edhe me partitë politike që ky projekt të jetë në Tiranë, për shkak të kohës dhe financave. ZAZ që do të përzgjidhet në Tiranë, sipas KQZ nuk duhet të ketë më shumë se 55 qendra votimi.
“Sikurse jeni në dijeni, KQZ ka synuar të implementonte projektin pilot në jo më pak se 10% të qendrave të votimit apo më shumë se 20% të qendrave të votimit, projektin pilot të votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhje.
Gjatë kësaj periudhe jemi përpjekur me partitë të kishim dakordësi mbi zonat ku ky projekt do implementohej. Pas diskutimeve, të shumta dhe konsultimeve jemi dakordësur që për shkak të ngushtësisë së kohës, implikimeve financiare e njerëzore. Do ishte e vështirë për KQZ që ta shtrinte implementimin në një numër qendrash votimi me jo më pak se 10% apo më shumë se 20%. Qëndronte interesi që për këto zgjedhje ky të implementohej në mënyrë pilot”, tha Celibashi.
Ai u shpreh se palët janë dakordësuar që të jetë e mundur implemtnimi në një zonë të vogël. Pas konsultimeve të bëra nga Komisioneri Shtetëror, projekti pilot të implementohet në një prej ZAZ-ve të Tiranës. “Do të na krijonte dhe jepte një indicie mbi efektet e projektit.
Mendohet të jetë njësia zona zgjedhore që i përket njësisë nr. 8, ose nr. 3 në Tiranë. Secila ka nga 52 qendra votimit. Kemi vendosur limitin. Kemi marrë në referencë këto dy, nuk fsheh një prej këtyre dy njësive mund të ishte zona ku mund të implementohet projekti. Konsideruar planin dhe përbërjen demografike të këtyre dy zonave”, tha Celibashi
Balla akuzon PD dhe LSI
Para se të merrej vendimi, ishte kreu i grupit të PS që lëshoi akuza. Taulant Balla deklaroi se nuk gjen ende dot asnjë arsye për faktin se pse Partia Demokratike nuk është dakord që testimi për votimin elektronik të mbahet në Tiranë.
“Është e qartë se disponibiliteti ka qenë që të testojmë teknologjinë e një zone që mos të dështojë ky proces dhe mos të pengojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Nuk e gjej dot arsyen se pse Partia Demokratike s’do që të testohet në Tiranë. Jemi në kushtet e zhvillimit të një para fushatë normale”, u shpreh ai. Balla tha se është në dorë të KQZ se ku do të testohet teknologjia. Sipas tij, PD dhe LSI nuk duan që shqiptarët jashtë vendi të votojnë dhe kjo është e pakuptueshme.
Numri dy i PS tha se shpreson që vota e shqiptarëve jashtë vendit të numërohet dhe KQZ ta bëjë të mundur këtë proces nga ana ligjore dhe teknologjike. “Nëse i referohemi 2017- 2019, PD dhe LSI kanë shprehur interes që të futen në zgjedhje, një pjesë janë regjistruar. Ndaj në këto kushte, partitë kanë detyrim që të respektojnë normat dhe rregullat e vendosura nga komitetit teknik. Na rrofshin votat nëse takimet tona politike kthehen në shpërndarës të Covid. Se ku do të testohet teknologjia ta caktojë KQZ. Tjetër çështje është edhe ajo e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. PD dhe LSI nuk duan që shqiptarët jashtë vendit të votojnë. Nuk e kuptoj. Uroj të implementohet gjithçka e nevojshme ligjërisht nga KQZ dhe vota e tyre të numërohet”, tha Balla.