Në Shqipëri po lulëzojnë disa institucione grabiqare financiare jo-bankare, të cilat janë përfshirë prej vitesh në zhvatje të shqiptarëve përmes fiksimit të normave të larta të intetesit të kredive.
Këto piramida financiare tërheqin njerëzit duke ofruar kredi brenda disa minutash, duke i ‘rrjepur’ më pas nga paratë, me komisione dhe norma intetesi të çmendura.
Iute Credit ka një normë interesi deri në 300 % për blerjet me këste. Nëse merr për shembull me një telefon me këste me vlerë 600 mijë lekë të vjetra, në fund qytetari do të paguajë 1.8 milionë lekë, pra trefishin brenda dy viteve.
Nëse merr tek Iute Credit, për shembull, një kredi me vlerë 1 milionë lekë të vjetra, për dy vite, në total duhet të paguash 1.89 milionë lekë.
Pra, norma e interesit te Iute Credit është rreth 90 %, jashtë çdo standardi dhe logjike tregu.
E njëjta skemë zhvatje aplikohet edhe nga Kredo.al, që është tentakulë e oligarkëve rusë, ku në Shqipëri drejtohet nga Arlinda Muja.
Pjesë e “listës së Putinit”
Investimi i biznesmenit rus Bojko në sferën e kredive të shpejta në Shqipëri nuk do të ishte problem nëse ai nuk do të ishte pjesë e listës së Departamentit të Thesarit amerikan, si pjesë e oligarkëve që përbëjnë rrethin e Vladimir Putinit. Në grupin e 210 rusëve të shquar, të njohur si “Lista e Putinit” , janë njerëz që e kanë ngritur dhe mbajtur Putinin në pushtet. Departamenti i Thesarit e ka renditur Bojkon në vendin e 17-të në grupin e oligarkëve.
Përveç anëtarëve të lartë të kabinetit të Putinit, është edhe pronari i klubit të futbollit Chelsea, Roman Abramovich, një mik i ngushtë i Bojkos.
Bojko ka një histori pothuajse identike me atë të shumicës së oligarkëve, të cilët në vitet 1990 shfrytëzuan tranzicionin në Rusi për të bërë pasuri të mëdha brenda natës. Ai lindi në vitin 1964 në një familje intelektualësh nga Moska. Ai u diplomua në Institutin e Aviacionit të Moskës me një diplomë në Radio Elektronikë të Avionëve dhe në Akademinë Kombëtare të Ekonomisë të Qeverisë së Federatës Ruse. Më pas ka magjistruar në Britani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Në fund të viteve 1980, Bojko formoi një kooperativë për të tregtuar kompjuterë dhe softuer. Në vitet 1990, sipërmarrësi ishte i angazhuar në lloje të ndryshme biznesi: importonte fruta, financonte një parti politike dhe investonte në media. Në vitin 2000, Bojko themeloi fondin e investimeve Finstar Financial Group.
Në vitin 2002 Bojko bleu një aksion në zinxhirin e kazinove Vulcan në Moskë, nga i cili themeloi Ritzio Entertainment Group. Kur biznesi i lojërave të fatit në Rusi u ndal, Bojko e zhvendosi biznesin jashtë Rusisë – në Gjermani, Letoni, Kroaci dhe Rumani. Në vitin 2003, Finstar fitoi një aksion kontrollues në bankën tregtare Letoneze Baltic Trust. Së bashku me partnerët letonezë, Bojko themeloi kompaninë e kredisë 4finance. Në vitin 2015, Finstar njoftoi krijimin e grupit DFI (Digital Finance Initiative) të kompanive të specializuara në bizneset e kreditimit dixhital në tregjet në zhvillim në Evropë dhe Azi.
Përveç Shqipërisë, Bojko që nga viti 2016 zotëron biznesin e kreditimit të shpejtë dixhital në Maqedoninë e Veriut. Janë shtatë kompani financiare që tre vjet më parë vendosën të organizohen në Shoqatën e Shërbimeve Alternative Financiare të Maqedonisë së Veriut (AFD). Ndër anëtarët themelues është DFI e Bojkos. Kjo kompani është themeluar në tetor të vitit 2016 me një investim prej 300 mijë eurosh. Është një kompani e njohur në tregun vendas me markën për kredi të shpejta “Forza”. Gjashtë të tjerët kanë një pronësi të paqartë. Sipas dokumenteve të marra nga Regjistri Qendror i RNM-së, pronarët janë individë dhe kompani nga Rusia, ish-republikat sovjetike në Balltik dhe Bullgaria. Kjo ka hapur dilema nëse pas tyre qëndron Bojko.
Aq më tepër kur themeluesit e dy kompanive të kredisë së shpejtë “Tigo Finance” dhe “Mogo Kredi” lidhen me emrin e oligarkut nga Letonia, Aigars Kesenfelds, i cili është ortaku i Bojkos në kompaninë 4finance. Përmes Kesenfelds, sipas qendrës për gazetari hulumtuese Re: Baltica, Bojko ka operuar në Kosovë për një kohë përmes kompanisë “Monego”, por Banka Qendrore në Prishtinë në vitin 2019 ia ka hequr licencën.
Hapja e kompanive financiare për kredi digjitale në RNM u mundësua me Ligjin për Shoqëritë Financiare, i miratuar në fund të vitit 2010. Në atë kohë, publiku i përjetonte këto kompani si konkurrencë me bankat. Aktualisht janë 32 shoqëri financiare në regjistrin e shoqërive financiare të publikuar në faqen e Ministrisë së Financave. Të parët janë regjistruar dhe kanë marrë leje pune në vitin 2011, ndërsa licenca e fundit është dhënë në dhjetor të vitit të kaluar.
“Ripper” i qytetarëve të varfër
Numri i këtyre kompanive rritet së bashku me kreditë e dhëna për qytetarët kryesisht të varfër. Ata ofrojnë kushtet më të thjeshta për kreditë e tyre, të cilat shkojnë nga 50 deri në 2000 euro. Zakonisht kredia e parë është pa interes nëse huamarrësi e kthen atë në afatin e rënë dakord. Përkundrazi, kompanitë ofrojnë shtyrje, por me këtë huamarrësi detyrohet të paguajë një interes të lartë në varësi të kohës së vonesës, e cila mund të shkojë mbi 20%.
Nëse merr tek Kredo.al një kredi 3 milionë lekë të vjetra, pas 48 muajsh, duhet të paguash rreth 7 milionë lekë.
Kjo është e vërteta e thjeshtë dhe e hidhur. Gjithçka tjetër është reklamë dhe forma mashtrimi për të futur qytetarët në skemë e zhvatjes nga paratë.
Po kush është ai ‘budalla’ që do shkonte te Kredo dhe Iute Credit për të marrë një kredi, duke paguar dyfishin?!
Norma të tilla interesi kanë edhe bankat e tjera, në marrëveshje me njëra-tjetën, kështu që një qytetar, kur detyrohet të marrë një kredi nga halli, do të paguajë dyfishin tek secila bankë që do të zgjedhë.
Pikërisht ky pazar mes tyre, për kapjen e tregut, po hetohet nga Autoriteti i Konkurrencës.
Jo vetëm kaq. Iute Credit, në disa raste, duke manipuluar dokumentet, ka bërë me kredi edhe të vdekurit
.
Kosova e ka mbyllur IuteCredit me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jo vetëm për pastrim parash dhe lidhje me oligarkët rusë, por edhe për norma interesi të larta.
Ky institucion mashtrues financiar është hetuar në shumë vende për krime ekonomike, mashtrime, pastrim parash dhe i lidhur me miliarderin rus Oleg Boyko.
Edhe pse e përfshirë në mashtrime në Shqipëri dhe pastrim parash të oligarkëve rusë, Banka e Shqipërisë nuk ka ndërmarrë asnjë masë për ta mbyllur IuteCredit.
Edhe Kredo.al tentakulë ruse
“Kredo Finance” apo si rëndom quhet Kredo.al del përsëri lidhje e oligarkut rus Oleg Boyko. Letonezi Aigars Kesenfelds është pronari i AS “Eleving Consumer Finance Holding”, regjistruar në Shqipëri si ortaku mazhoritar me 95% i “Kredo Finance”.
Kredo financë ashtu si IuteCredit ka futur në kurthin mikrokredive të vogla mijëra shqiptare të papunë, studentë, të rinj e të reja që nuk kanë asnjë mundësi reale t’i kthejnë borxhet që shkojnë për interes të dy kompanive me origjinë Estoninë dhe Letoninë, por që në të vërtetë nga pas kanë Rusinë.