Partia Socialiste çeli sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.
Fushata u çel nga sheshi “Skënderbej” duke respektuar masat antikovid.
Nën tingujt e himnit kombëtar kënduar nga këngëtarja Vikena Kamenica, Partia Socialiste çeli fushatën për zgjedhjet e përgjithshme me pjesëmarrjen vetëm të kandidatëve për deputetë në të gjitha qarqet.
Bilali mesazh shkodranëve: E kemi vetë në dorë për ta bërë Shkodrën ashtu si gjithë Shqipëria
Kandidatja e Partisë Socialiste e renditur e para në listën e qarkut të Shkodrës, Edona Bilali kërkoi sot që “ta lëmë prapa kohën e tifozllëkut politik, por tashmë t’i besojmë të ardhmen tonë dhe t’i japim një shans vetes, Partisë Socialiste dhe Edi Ramës”.
“Kur më ftoi Edi Rama më tha: ‘Unë nuk dua që ti të bëhesh si Partia Socialiste, dua që Partia Socialiste të bëhet si ti’. Unë e pranova sfidën, sepse e dua Shkodrën dhe kam dashur prej kohësh që politika të ishte sjellë më mirë me Shkodrën. Këtu e kam fjalën edhe për PS-në, sepse edhe ajo ka pjesën e saj të borxhit me këtë qytet. Shkodra është unike, sepse ka pasurinë, ka mençurinë dhe është një qytet që ka plot histori. I ka të tëra: lumin, liqenin, detin edhe malin.
Ndaj është koha që ne të punojmë si shkodranë edhe shqiptarë, jo më si demokratë dhe socialistë, ta lëmë prapa kohën e tifozllëkut politik, por tashmë t’i besojmë të ardhmen tonë dhe t’i japim një shans vetes, Partisë Socialiste dhe Edi Ramës për t’u bërë edhe Shkodra si Vlora, si Korça, që janë qytete të transformuara dhe nuk njihen më me ato që ishin dje, qytete nga të cilat ne nuk na mungojnë asnjë gjë. Prandaj miqtë e mi shkodranë ju them kurajo, sepse e kemi vetë në dorë për ta bërë Shkodrën, të ardhmen tonë, ashtu si gjithë Shqipëria”, tha ajo.
Malaj: Çfarë është bërë në këto vite tregon se Rama dhe PS e çojnë Shqipërinë në një nivel tjetër
Kandidati i Partisë Socialiste në qarkun e Kukësit, Petrit Malaj, deklaroi sot se, “çfarë është bërë në këto vite tregon se Edi Rama dhe Partia Socialiste mund ta çojnë Shqipërinë në një nivel tjetër”.
“Edi Rama më ftoi të bashkohesha në këtë skuadër, në fakt më ftoi për të përfaqësuar Tropojën time, Kukësin, Hasin. I kërkova vetëm një garanci, që ai ndryshim që kishte nisur në Tropojë, në Has, në Kukës, ku prej vitesh kalonin mes sherrit dhe tifozllëkut politik, do të vazhdojë përsëri.
Ai ma garantoi këtë gjë edhe unë në fakt mjaftohem me fjalën e tij, sepse unë e di mjaft mirë se Edi është njeri i fjalës, por sidomos i punës. Unë kam shpresë se tropojanët dhe qarku i Kukësit në 25 prill do ta zgjedhin Edi Ramën, pikërisht se ai është njeri i punës dhe unë do t’ua kërkoj votën për të punuar për ta së bashku me Edi Ramën, me gjithë këtë skuadër njerëzish të punës. Unë ndihem me të vërtetë mirë”, tha Malaj.
Ndihem mirë, vijoi ai, “që jam pjesë e kësaj skuadre ku janë mbledhur bashkë eksperienca më e mirë e PS-së, por edhe energjia e plot të rinjve, jo thjesht në moshë, por në ambicien dhe pasionin për ndryshimin e mëtejshëm të vendit tonë. Çfarë është bërë në këto vite tregon se Edi Rama dhe Partia Socialiste mund ta çojnë Shqipërinë në një nivel tjetër. Padyshim ka ende shumë për të bërë dhe le ta bëjmë së bashku, duke u bashkuar për punët e mira që i duhen Shqipërisë, që Shqipëria të bëhet e ardhmja e fëmijëve tanë”.
Krashi: PS meriton mandatin e tretë. Do ta bëjmë Shqipërinë, vendin e të gjithë shqiptarëve
Lavdrim Krashi, i cili kryeson listën e PS-së në Dibër deklaroi sot se, “të gjithë ne po të ndezim një dritë sado të vogël për këtë vend do të arrijmë që ta bëjmë Shqipërinë, vendin e të gjithë shqiptarëve”.
“Ed Rama më kërkoi që të kthehem nga Anglia ku kam punuar dhe jetuar për më shumë se 25 vite e ku jam shumë i mirintegruar, e unë menjëherë iu drejtova bashkëshortes dhe dy fëmijëve të mi, djalit 22-vjeçar e vajzës 15-vjeçare. Nuk kishte kënaqësi më të madhe për mua kur të dy më thanë: ‘bëje babë, edhe ne duam që një ditë të jemi në Shqipëri’.
E dimë të gjithë se sa bukur është ta thuash apo ta dëgjosh këtë që të thuhet, por në të njëjtën kohë e dimë se sa e vështirë është që Shqipëria jonë të bëhet shtëpia e të gjithë shqiptarëve. Por siç thoshte Nënë Tereza jonë e madhe, ndiz një qiri në vend që të mallkosh errësirën”, tha ai.
Unë jam këtu, vijoi Krashi, për të kontribuar modestisht për Dibrën dhe gjithë Shqipërinë, në mënyrë që edhe vendlindja ime, por edhe Shqipëria, të bëhet vendi ynë, e ardhmja e fëmijëve të saj.
“E me këtë skuadër të fortë këtu do ta bëjmë gjithë Shqipërinë vendin për të gjithë ne. Me punë këmbëngulëse, duke besuar e mbështetur njëri-tjetrin, por mbi të gjitha duke ndihmuar Edi Ramën për të përballuar sfidat që ne i kemi përpara. Shqiptarët i kanë paguar haraçe shumë të mëdha atyre të tjerëve. Ata nuk e meritojnë një shans tjetër, në asnjë mënyrë, e Partia Socialiste meriton mandatin e tretë, sepse megjithë të metat e gabimet e saj, Partia Socialiste ka shumë për të ofruar për Shqipërinë tonë”, tha ai.
Nikolla: Votoni PS-në që të zhdukim pranverën e ardhshme dëmet e tërmetit
Lindita Nikolla, e para në listën e PS-së për qarkun e Lezhës, deklaroi se “25 prilli është i veçantë për Lezhën, Kurbinin dhe Mirditën, sepse duhet të vijojë dhe të përfundojë procesi i rindërtimit, ndaj malësorë, mirditorë, zadrimorë e lezhjanë e kurbinas. Votoni PS-në që të zhdukim pranverën e ardhshme dëmet e tërmetit. Të kemi shtëpi më të bukura e më të forta, shkolla të reja e me standarde, një qytet të ri si Laçi, e shumë transformime në Mirditë dhe në Lezhë”, tha Nikolla.
“Është absolutisht emocionuese teksa sheh një skuadër kaq përfaqësuese të PS-së, me kaq shumë të rinj dhe të reja figura të spikatura. Nuk kanë spikatur në politikë, por duke shërbyer në mënyrë shembullore në shoqëri”, shtoi ajo.
Nikolla theksoi se “jam shumë e lumtur që jam pjesë e kësaj skuadra që do të ndërtojë Shqipërinë të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë”.
Konomi: Votoni PS që transformimi i Beratit mos të ndalet
Hatixhe Konomi, kandidate e PS në Berat në fjalën e saj në tha se, “kur Edi Rama dhe PS do të merrte pushtetin do të merrte drejtimin e vendit, Berati ishte totalisht një qytet i izoluar. Ishte i izoluar sepse e vetmja rrugë kryesore që e lidhte me pjesën më të madhe të vendit ishte totalisht e shkatërruar. Ishte një torturë e vërtetë. Prandaj Berati prej shumë kohësh nuk pati numrin e vizitorëve apo dhe të turistëve që priste”.
“Ndërkohë që qyteti degradonte ditë për ditë, ne nuk e shihnin dorën e shtetit. Pa folur këtu për Kuçovën, për Urën Vajgurore, Poliçanin, apo Çorovodën”, u shpreh ajo.
“Ndërkohë mund të themi që Berati vuajti dhe nga thundra e Ilir Metës, apo e LSI sepse na lanë që ne të trashëgonim një pushtet lokal, i cili ishte një pushtet fisnor, një pushtet i kushërinjve, i njerëzve të korruptuar dhe dembel”, tha ajo .
Konomi shtoi se, “sot situata në Berat ka ndryshuar totalisht. Tashmë Berati është një kantier ndërtimi, është në një transformim rrënjësor që nuk duhet kurrsesi që të ndalet. Tashmë në Berat ka projekte të mëdha në infrastrukturë, të cilat do të kenë një impakt të jashtëzakonshëm në ekonominë lokale të qytetit”.
“Ndërkohë që turizmi është e ardhmja jonë”, tha Konomi, “disa sektorë shumë të rëndësishëm janë duke u zhvilluar me hapa galopantë, siç është hoteleria, siç është bujqësia, siç është agro-biznesi, agroturzimi, apo dhe agropërpunimi”
“Jam krenare që i përkas një skuadre të tillë. Ne të gjithë kandidatët e Beratit premtojmë që më 25 prill, do t’i sjellim Kuvendit të Shqipërisë, 5 deputet për një mandat të tretë të Edi Ramës dhe të PS”, tha ajo.
Zaka: Investimet e qeverisë në Korçë, katalizatorë për zhvillim rajonal ekonomik të vendit
Eni Zaka, kandidate e PS në Korçë në fjalën e saj në çelje të fushatës tha se, “ndihem krenare që jam pjesë e kësaj skuadre sepse me punën e palodhur që ajo kryen ka bërë që Korça të jetë një qytet model por, gjithashtu edhe një nga destincionet më të rëndësishme turistike në Shqipëri, jo vetëm për turistët vendas por edhe ata të huaj”.
“Nëse kthejmë kokën pas dhe shohim në një të shkuar jo shumë të largët, Korça që ka qenë dje nuk është Korça që është sot. Ato nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën.”, u shpreh ajo
“Ne me krenari na bën që ta themi me shumë vlera, falë investimeve të qeverisë në shumë projekte madhore siç është restaurimi i pazarit të Korçës, siç është Muzeu i Artit Mesjetar, rindërtimi i Teatrit, Maternitet, por dhe shumë projekte të tjera që kanë ndikuar si katalizatorë për zhvillim rajonal ekonomik të vendit”, tha ajo.
“Këto investime kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e çdo qytetari të Korçës”, tha ajo.
“Ne kemi gjithashtu shumë fshatra modele turizmi siç është Voskopoja, Boboshtica, Dardha, por dhe shumë të tjera, që falë investimeve në infrastrukturë të qeverisë, kanë ndikuar në zhvillimin e të gjithë rajonit”, tha Zaka.
Çomo: Në PS kam parë njerëz që nuk kanë llafe po vetëm punë, që e çojnë atë deri në fund
Najada Çomo, e cila kryeson listën e PS-së në Tiranë u shpreh se, “të ftohesha të isha kandidate për deputete në Kuvendin e Shqipërisë, sigurisht u ndjeva e vlerësuar dhe natyrisht e emocionuar që do të përfaqësojë një grup të madh njerëzish që punojnë ditë e natë për të shpëtuar jetët e personave që vuajnë nga COVID-19. E them e vlerësuar sepse vlerësimi shkon për ata kolegë për atë staf që është në krye të detyrës qoftë në spitale dhe kudo në Shqipëri”.
“Unë jam një nga ata që me angazhimin tim maksimal dhe qytetarë do përfaqësojë të gjitha bluzat e bardha. Unë ju afrova skuadrës socialiste me kryeministrin Rama, me Erionin kolegë të tjerë që janë pjesë e asaj skuadre dhe natyrisht unë nuk jam politikane, jam profesioniste. Unë do të vazhdoj ta ushtroj profesionin tim për ta fituar betejën me Covidin dhe jo vetëm me të por dhe me sëmundje të tjera. Do të jap maksimumin tim si qytetare për më të mirën në fushën shëndetësore”, u shpreh Çomo.
Ajo shtoi se, “jam bashkuar me bindje skuadrës socialiste për arsye se kam parë njerëz të palodhur, që i përballen sfidave, që nuk kanë llafe po kanë vetëm punë, që e çojnë atë deri në fund. Unë sot si pjesë e skuadrës socialiste nuk kërkoj ta marr votën për vete, por kërkoj që të votohet Ogerta, e cila ka qenë dhe është një grua që qoftë si drejtoreshë e QSUT-së, qoftë si minister e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bëtë një punë të palodhur duke dëgjuar me vëmendje të gjithë profesionistët e shëndetit”.
Bozo:Populli do bëj zgjedhjen e duhur duke votuar PS, në të gjitha fushat ka patur vetëm përparime
Kandidatja e Partisë Socialiste në Tiranë, inxhinierja e njohur Luljeta Bozo tha sot se, “doja të flisja për popullin tonë që është një popull paqedashës, punëtorë dhe që di të bëj zgjedhjen e duhur në momentin e duhur. Është një popull i sakrificës dhe një popull me solidaritet të pa treguar në rast fatkeqësish. Them që populli do di ta bëj zgjedhjen e duhur dhe të votoj patjetër Partinë Socialiste sepse e di nga e nisi punën para 8 vitesh PS, çfarë arriti gjatë këtyre 8 viteve që janë të dukshme, si u rrit niveli i jetesës, shërbimeve, arsimit. Në të gjitha fushat ka patur vetëm përparime”.
Bozo theksoi se, “duke parë çfarë është arritur të krijohet bindja se dhe në të ardhmen do kemi mundësi që me këtë forcë politike, që është shumë me vizion, progresiste që punon për njerëzit e thjeshtë, me këtë forcë ne patjetër do arrijmë reforma dhe ndryshime akoma më të mëdha nga çfarë është bërë gjatë këtyre viteve”.
“Gjithë program i PS është i bazuar në llogaritje shumë të sakta, bazohet në energjinë e pashtershme të rinisë dhe të grave tona, në energjinë e madhe që ka populli jonë dhe vesimin që ka në një të ardhme më të mirë dhe më të ndritur. Jam e bindur që populli do bëj zgjedhjen e duhur për të votuar këtë forcë politike, e cila i ka vënë detyrë vetes të eleminoi dy sfida shumë të vështira që është pandemia, të bëj gjithë vaksinimin e popullsisë që është një gjë shume e madhe së është shëndeti i pari dhe e dyta të shëroj gjithë plagët e tërmetit duke rilindur dhe njëherë nga e para Shqipërinë që u shkatërrua nga një forcë natyrore”, përfundoi Bozo.
Ekonomi: Me votën tuaj për PS jepni një votë për vete dhe familjen tuaj
Milva Ekonomi, e para në listën e PS-së për Durrësin, tha se “në këto zgjedhje padyshim që Rama do të vijë në Durrës me një projekt transformues siç erdhi në Vlorë”.
“Natyrisht që këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, sepse në këto zgjedhje vendoset e ardhmja e disa viteve për Shqipërinë. Fitorja e Partisë Socialiste do të thotë e nesërme për drejtësinë, e nesërme për ekonominë, e nesërme për shëndetësinë dhe për arsimin dhe padyshim e nesërme për rininë me më shumë punë dhe më shumë të ardhura ekonomike”, tha ajo.
Por nëse fitorja e Partisë Socialiste nuk do të ndodhë, Ekonomi tha se “përballë nesh do të jenë ata që do të bëjnë dëmin e këtij vendi, sepse koha nuk pret, nuk mund të kthehet pas”.
“Ne kemi në Durrës një fat të jashtëzakonshëm si asnjëherë në këto 30 vjet. Në Durrësin tonë kandidon Kryeministri i Shqipëri Edi Rama dhe në këto zgjedhje padyshim që Rama do të vijë në Durrës me një projekt transformues siç erdhi në Vlorë dhe për Durrësin do të ketë më shumë mundësi, do të ketë një zhvillim të ri dhe pa dyshim, durrsakët e mi do të dinë të çmojnë këtë rezultat, të japin më shumë mbështetje për PS-në dhe kryeministrin Rama për të përfunduar rindërtimin, për të hequr çdo gjurmë të tërmetit”, tha Ekonomi.
Ajo bëri një apel të veçantë për të gjitha vajzat e Shijakut, Durrësit, Krujës dhe të gjithë Shqipërisë”.
“PS ka bërë shumë për të gjitha nënat e reja, çdo bebe dhe fëmijë, për gratë kryefamiljare dhe gjyshet tona dhe do vazhdojë të bëjë shumë. Me votën tuaj për PS dhe Ramën jepni një votë për vete dhe familjen tuaj”, tha ajo.