Ka nisur dje në Shqipëri stërvitja e NATO “Defender Europe 21”, ku me mijëra trupa amerikane do të demonstrojnë forcën në vendin tonë.
Në Portin e Durrësit u zhvillua një ceremoni ku ishin të pranishëm gjeneralët më të lartë të SHBA dhe NATO, kryeministri Edi Rama, ambasadorja Yuri Kim dhe presidenti Ilir Meta.
Ajo që ra në sy ishte një anashkalim i presidentit në këtë stërvitje edhe pse ai është komandant i forcave të armatosura. Kur nisi ceremonia dhe u mbajt fjala e rastit, ambasadorja Yuri Kim, gjeneralët dhe kryeministri Rama ishin bashkë, ndërsa presidenti ishte ulur në një pozicion larg tyre.
Ndërkohë anashkalimi më i madh u bë në fund të ceremonisë pasi Rama, Yuri Kim dhe gjeneralët Tod Wolters, Jeffrey Harrigian dhe Christopher Cavoli hipën në anijen “Lisus”. Presidenti u la jashtë kësaj anije, pasi ju kërkua që të hipte në anijen “Ilyria”, ku do të ishte i pranishëm kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe disa ushtarakë të thjeshtë. Kjo nuk u pëlqye nga Meta, i cili në fund të ceremonisë u largua.
Po ashtu gjeneralët amerikanë vlerësuan kryeministrin Rama, duke lënë në hije presidentin. Rama i dhuroi gjeneralit amerikan Wolters, një suvenir dhe një karikaturë, teksa gjenerali amerikan i dha një medalje, për të cilin kryeministri tha se do ia jepte djalit të tij, Zahos. Meta është kreu i Forcave të Armatosura, por në ceremoninë djeshme ai mbeti gjatë gjithë kohës në hije, përveç momentit kur mbajti një fjalë rasti. Stërvitja e ushtrisë amerikane ka si qëllim për t’i treguar dhëmbët Rusisë.
Ndërkohë janë të shumtë zërat se presidenti ka ndjekur lojën ruse në Tiranë. Bllokimi i Rinasit duket se u bë me qëllim ndalimin e kësaj stërvitje për interesat ruse. Po ashtu u tentuan skenarë destabilizimi para zgjedhjeve që padyshim u shërbenin interesave ruse. Të gjitha dështuan dhe stërvitja nisi zyrtarisht dje duke u dhënë një mesazh të qartë të gjithë mbështetësve të Moskës në vendin tonë.
Qëndrimet e SHBA
Gjenerali Tod Ëolters, Komandant i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Komandant Suprem i Aleatëve Europian të NATO-s në fjalën përshëndetëse tha se nga pranimi në NATO Shqipëria ka qenë më e sigurt. “Siç është deklaruar më parë, stërvitja?Defender Europe 21 përfshin mbi 30,000 ushtarë, pilotë dhe marinsa nga aleatë dhe vende të NATO-s, mbi 25 vende dhe qëllimi është të vëmë në provë vendosmërinë tonë në gamën e plotë të përvojave ku përfshihemi në ushtri.
Gjatë gjithë Defender Europe 21, do të shohim se çfarë quhet hyrje e përbashkët me forcë, do të përmirësojmë mbrojtjen e integruar nga ajri dhe nga raketat, do të angazhohemi në stërvitje me zjarr dhe do kulminojmë me një stërvitje të komandës. Këto aktivitete na detyrojmë të stërvitim muskujt dhe intelektin tonë,?por në fund të ditës, shpresojmë dhe e dimë që do të përmirësojmë gatishmërinë tonë në të gjitha drejtimet”, tha ai. Në fjalën e saj ambasadorja amerikane Yuri Kim, u shpreh se Shqipëria është një aleate e denjë ndaj NATO dhe nuk u zgjidh rastësisht mbajtja e stërvitjes në vendin tinë.
Ajo tha se SHBA do të jetë krah shqiptarëve. “Dua t’u uroj mirëseardhjen gjeneralëve, 3 gjeneralë amerikanë 4 yje mblidhen në të njëjtën kohë në të njëjtin vend. Prania juaj konfirmon që roli i Shqipërisë në aleancë vetëm rritet. Shqipëria është pritëse e më shumë aktiviteteve se çdo vend tjetër në rajon. Kjo nuk është rastësore. Shqiptarët kanë luftuar përkrah nesh krah për krah. Ne kurrë nuk do t’i harrojmë sakrificat tuaja.
E njohim trimërinë tuaj dhe jemi të nderuar t’ju kemi në aleancë. Përgëzojmë vullnetin e Shqipërisë për të marrë përgjegjësi. Ju kurrë nuk keni hezituar për të ndihmuar. Na keni përsëritur gjithmonë dhe na keni treguar potencialin taktik dhe strategjik në Shqipëri. Kjo stërvitje është historike. Jemi gjithmonë krah për krah jush, tani, nesër e përgjithmonë”, tha Kim.
Detajet e stërvitjes
Stërvitja ushtarake, e organizuar nga Ushtria Amerikane në Europë dhe Afrikë, ku marrin pjesë rreth 28 mijë trupa nga 26 vende aleate dhe partnere, do të zhvillohet në 7 baza të ndryshme në vendin tonë. “Defender Europe 21” që u çel dje dhe do të zgjasë deri më 9 qershor. Shqipëria është një nga 16 vendet mirëpritëse në zhvillimin e kësaj stërvitjeje ushtarake. Forcat tona të Armatosura, do të përfaqësohen me rreth 1.000 trupa. Ndërkohë 28.000 trupa shumëkombëshe do të kryejnë aktivitete pothuajse në të njëjtën kohë në më shumë se 30 zona trajnimi, të shtrira në 12 vend.