Pas zhurmës së krijuar lidhur me urdhrin për ndalimin e mediave për të publikuar çdo lloj materiali të dosjes “339”, kanë reaguar dy prokurorët e Krimeve të Rënda që firmosën urdhrin.
Në një njoftim për mediat, Vladimir Mara dhe Dritan Premçi sqarojnë se ndalimi i publikimit është i bazuar në ligjin proçedural dhe atë material në fuqi, (nenet 103, 104 e 105 të Kodit të Proçedurës Penale dhe neni 295/a të Kodit Penal) .
Ky ndalim ligjor sipas tyre, “synon të ruajë sekretin hetimor dhe gjen zbatim për të gjithë subjektet proçedurale të çështjes penale nr. 339 të vitit 2016, si prokuror, oficer të policisë gjyqësore, mbrojtës ligjor, të pandehur dhe çdo subjekt tjetër që është njohur apo merr dijeni për aktet e proçedimit penal për shkak të funksionit që kryen”.
Në fazën ku ndodhet hetimi i kësaj çeshtjeje, theksojnë dy prokurorët, “nxjerrja e akteve me të dhëna të ndryshme që përbëjnë sekret hetimor, mund të ndikojë në rezultatet e hetimit, tjetërsimin apo deformimin e provave si dhe sigurinë e shtetasve emrat e të cilëve mund të bëhen publike nga publikimi i paautorizuar i akteve sekrete, të cilët janë pyetur apo do të pyeten për faktet objekt hetimi”.
Duke vlerësuar rolin e mediave në informimin e publikut, prokurorët Mara dhe Premçi bëjnë me dije se ky urdhër nuk ka për qëllim kufizimin apo cënimin e lirisë së mediave, por vetëm arsyet ligjore të lartpërmëndura.