Ilir Meta së bashku me zëdhënësin e tij Ted Blushi, kanë filluar sulmet ndaj të gjithë ndërkombëtarëve që i kanë kundërshtuar, rreth qëndrimeve që Presidenca ka mbajtur lidhur me debatet për Kushtetutën dhe Reformën në Drejtësi.
Sot Ilir Meta është shprehur nëpërmjet një statusi në Facebook se “mjerë ata që kërcënuan Blushin tim”.
Ne nuk e dimë saktësisht si qëndron e vërteta rreth telefonatës që ka marrë Ted Blushi, ama dimë me siguri qëndrimin që mban Meta në këtë rast.
Si mami që na kërcenonte kur ishim të vegjël, “mjerë ti po hëngre më karamele fshehurazi” edhe Z. Meta ka kërcënuar “rëndë” përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Shqipëri që kanë futur hundët në zbatueshmërinë e Kushtetutës tonë.
E ç’tu duhet atyre njëherë, se mos na kanë financuar gjë? Se mos na kanë mbikqyrur dhe mbështetur gjatë gjithë rrugëtimit tonë për Reformën në Drejtësi?
E rëndësishme është që Meta mos të kapet në gabim, pa Amerikën e rregullojmë kollaj. Nuk është Amerika fuqi Botërore edhe nuk ia kemi nevojën.
Çfarë duhet të themi për shtetet e tjera të botës, që ndikohen plotësisht nga Shtetet e Bashkuara, nuk dinë ata ti dalin kundër Amerikës, siç dimë ne dhe Ilir Meta.