Ish-kreu i degës së Partisë Demokratike në Kukës, Ibsen Elezi, një kritik i fortë i PD dhe kryesisht i kryedemokratit Lulzim Basha, ka thënë se rotacion mund të ketë, por nuk trembet nëse PD merr pushtetin dhe e penalizon atë në Kukës, pasi i konsideron “vogëlsira” dhe “qesharakë” drejtuesit e PD.
“Nuk e kam problem presionin. Nuk e kam ulur kokën në kohën e komunizmit e jo më ta ul kokën me këta spurdhjakë. Unë po flas për çështje parimesh. Përgjegjës për situatën e krijuar në PD është padyshim Basha, por jo kryesori, s’mund të them kryesori se s’dua t’i jap atributet kryesore. Dhe Berisha është përgjegjës, sepse e sheh çfarë po ndodh në PD dhe nuk reagon, nuk merret me gjëra thelbësore”, tha Elezi për Report Tv.
I pyetur se kush mund të ishte në vend të z.Basha drejtuesi i duhur i PD, ai tha:
“Nuk mund të them një emër, ka disa. Në PD ka frymë të djathtë, ka personalitete që mund të drejtojnë më mirë PD, por nuk shfaqen, sepse nuk ka hapësira”.