Kuvendi do të zhvillojë seancën e radhës plenare ditën e enjte, më datë 30 prill, duke zbatuar rregulla strikte dhe të rrepta të imponuara nga situata prej koronavirusit. Deputetët do respektojnë distancën e kërkuar duke u shpërndarë në gjithë sallën, deri në llozha e galeri.
“Ashtu siç jeni njoftuar dhe me pare, për shkak të rrethanave të veçanta të zhvillimit seances, në zbatim të masave për ruajtjen e distancës, galeria dhe llozhat do të jenë të zëna nga deputetë”, njofton Kuvendi.
Gjithashtu, në njoftim thuhet se nuk do lejohet prania e mediave e gazetarëve.
“Për ruajtjen, sigurinë, shëndetin e deputetëve, gazetarëve e kameramanëve, seanca do të ndiqet dhe do transmetohet live vetëm nga Radio-Televizioni Shqiptar. Për këtë arsye, ju kërkojmë mirëkuptimin për mosprezencën e mediave të tjera në sallën e seancave dhe në oborrin jashtë”.
Në rendin e ditës së Kuvendit do të jetë të enjten edhe miratimi i faljes së gjobave të vendosura gjatë periudhës së karantinës, para ndryshimeve në Kodin Penal.
Ndër të tjera pritet të miratohen edhe:
Akti normativ nr. 14, date 11 prill “Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID -19”, të ndryshuar””.
Akti normativ nr. 15, datë 15 prill 2020 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar””.
Akt normativ nr. 16, datë 17.4.2020 “Për faljen e masave administrative me karakter ndëshkues të vendosura gjatë periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID – 19”.
Projektligji “Për shërbimet e pagesave”.