Ditën e sotme u bë publik lajmi se kryetarja e Gjykatës së Durrësit Joana Qeleshi ka dhënë dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor për arsye personale. Menjëherë pas kësaj, është zbardhur arsyeja se përse Qeleshi dha dorëheqjen.
“Pavarësisht pasionit tim për profesionin e gjyqtarit, duke qenë se më është ofruar një mundësi profesionale me preferencën dhe ekspertizën time në fushën e Shoqërive Tregtare, kam vendosur të ndjek një stad të ri në karrierën time, duke iu përkushtuar sektorit privat.
Mundësia që më është ofruar në këtë sektor në pozicionin e Drejtores Juridike pranë një spitali privat paraqitet si sfidë e re profesionale për mua”, kjo është një pjesë e deklaratës së dorëheqjes së Joana Qeleshi.
Joana Qeleshi u emërua në krye të Gjykatës së Durrësit në vitin 2013, nga presidenti i asaj kohe, Bujar Nishani, që drejtonte Këshillin e Lartë të Drejtësisë, institucion që u shkri me reformën në drejtësi dhe u zëvendësua me Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Në atë kohë emërimi i saj pati polemika pasi Gjykata e Durrësit është një gjykatë karriere, në të cilën nuk mund të emërohesh direkt nga Shkolla e Magjistraturës. Joana Qeleshi e nisi punën si gjyqtare në Gjykatën e Durrësit më 28 dhjetor 2011, dhe vetëm 1 vit më pas u emërua kryegjykatëse.
Më 10 shtator të vitit 2007, Qeleshi u pajis me prokurë të posaçme nga biznesmeni i përfolur serbo-boshnjak-britanik Damir Fazlliç, mik i Sali Berishës, për të bërë regjistrimin e një kompanie të tij në Qipro.
Qeleshi punonte në atë kohë në studion “Kola&Associates” të avokates tjetër Flutura Kola, ish-ortake në biznes e vajzës së kryeministrit, Argita Malltezi. Në atë kohë, avokatja Joana Qeleshi nuk është prononcuar asnjëherë për faktet e bëra publike.
Në 2018-ën Ministria e Drejtësisë kishte kërkuar shkarkimin nga detyra të kryetares së Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi, për shkak të një vendimi të dhënë lidhur me pronësinë e 45 mijë m2 tokë në Gjirin e Lalëzit, e cila u bë shkak për d.hunimin dhe largimin nga Shqipëria të biznesmenit libanez, Fadi Mitri.
Ky i fundit, me anë të kompanisë “Omnix” kishte planifikuar të ndërtonte një kompleks gjigant turistik me vlerë 450 milionë dollarë. Por Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që drejtohej nga Presidenti Nishani, e rrëzoi këtë kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë.
Gjatë dominimit të KLD nga Partia Demokratike, me anë të Bujar Nishanit, Gjin Gjonit etj. Qeleshi bëri një karrierë të shpejtë në gjyqësor. Vëllai i saj Real Qeleshi, është oficer i Policisë Gjyqësore, ndërsa babai, Arben Qeleshi, është avokat.
Ndërsa së fundmi Joana Qeleshi është rikthyer në qendër të vëmendjes së mediave vetëm pak pas zgjedhjeve të 30 qershorit, ku emri i saj u lakua në kohë kur iu dha mandati nga gjykata kryetares së re të Bashkisë së Durrësit, Valbona Sakos.
Gjykata e Durrësit kishte marrë një vendim për mos njohjen e mandatit të Sakos, dy ditë më pas e njëjta çështje u gjykua në të njëjtën Gjykatë ku drejtonte Qeleshi, duke i dhënë mandatin Sakos. Vetë gjyqtarja atëherë reagoi për mediat, duke thënë se “Kam folur përmes vendimit”.