Kryeministri Edi Rama deklaroi ditën e sotme se pensionistët do të mund të dalin nesër deri në orën 11:00 për të ecur dhe ajrosur. Por pas urdhrit të fundit të kryeministrit Rama, reagoi Policia e Shtetit, ku bëri me dije se do të asistojnë me pensionistët për të respektuar me rigorozitet distancimin social.
Përmes një njoftimi të shpërndarë në media, policia bën me dije se nuk do të lejohet ulja në grup në parqe apo lulishte, si dhe duhet të respektojnë orarin e vendosur nga kryeministri. “Bazuar në urdhrin e fundit të Kryeministrit të vendit, për lejimin e pensionistëve për të dalë ditën e shtunë deri në orën 11:00, Policia e Shtetit do të mirëpresë e asistojë pensionistët, për të respektuar distancimin social.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e pensionistëve që të mos ulen në grupe nëpër parqe apo lulishte, të mos jenë më shumë se dy persona bashkë dhe pas orës 11:00, duhet të kthehen në banesë. Shërbimet e Policisë do të jenë pranë tyre për çdo rast nevoje që ata mund të kenë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Policia e Shtetit bën me dije se gjatë ditës së nesërme do të vijojnë kontrollet për të parë nëse po respektohet karantina, duke shtuar se nesër do të mund të lëvizin vetëm makinat me autorizim dhe personat që ikin për në punë. Ndërsa pjesa tjetër e qytetarëve duhet të respektoj masat dhe të mos dalë nga shtëpia gjatë fundjavës.
“Ndërkohë, në të gjithë vendin do të vijojnë kontrollet e pandërprera kryesisht në qendrat urbane, për respektimin e karantinës. Do të lejohen të qarkullojnë me makinë, të pajisur me autorizim apo në këmbë, në itinerarin shtëpi – punë – shtëpi, pa asnjë ndalesë të gjithë personat që kanë autorizim për të punuar gjatë fundjavës. Të gjithë të tjerët duhet të respektojnë masat kufizuese për të mos dalë nga banesa deri në orën 05:00 të ditës së hënë, duke përjashtuar lëvizjet për emergjencat mjekësore”, thuhet në njoftim.