Lulzim Basha ka shtuar sinjalet e tërheqjes nga kushtet bazë ndaj qeverisë. Pas presionit ndërkombëtar, kreu i Partisë Demokratike është shprehur dje se është gati që të futet që tani në zgjedhje të parakohshme, nëse garantohet liria e votës. Basha deklaroi në një intervistë televizive se kushti i vetëm i opozitës, për të cilën ata kanë bërë një betejë, është që shqiptarëve t’u garantohet liria e votës.
“Ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që nesër. Kushti i vetëm i opozitës, për të cilën kemi bërë një betejë, është që shqiptarëve t’u garantohet liria e votës”, ka theksuar kryedemokrati. Ajo që u vu re në intervistën e kryedemokratit ishte se ai dukej i lëkundur në deklaratënqë dha, duke dhënë kështu sinjale për tërheqje. Basha deklaroi se Shqipërisë i nevojiten zgjedhjet e parakohshme më shumë se Maqedonia e Veriut. “Në fakt Shqipërisë i duhen zgjedhje të parakohshme shumë më shumë sesa Maqedonisë. Vendimi i Maqedonisë tregon sesi veprojnë drejtuesit me një fije përgjegjësie ndaj vendit”, deklaroi Basha. I pyetur se si do të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, Basha tha se do të bëhet duke garantuar standardet minimale zgjedhore, për të cilat shtoi që Partia Demokratike dhe aleatët kanë propozuar një sërë masash.
Basha i lëkundur
Basha u pyet dhe për kushtin e largimit të Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike. Edhe këtu ai devijoi, duke mos thënë hapur që kërkon largimin e kryeministrit, sikundër deklaronte muaj më parë. “Secili duhet t’i bëjë pyetjen vetes: Një njeriu, i cili është kapur duke vjedhur edhe veten e tij, siç ndodhi me 30 qershor, mund t’i besohet se do të organizojë një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme? Po të lexojmë në raportet e OSBE/ODHIR-it përgjigja është e thjeshtë: Jo! Po të lexojmë kushtet e Bundestagut, përgjigja është e qartë: Jo”, ka deklaruar Basha sa i përket zgjedhjeve me Ramën. Pasi bëri këtë deklaratë për pjesëmarrjen në zgjedhje me Ramën, Basha deklaroi se është po ashtu i gatshëm që të ulet në dialog me Ramën. Ai përmendi edhe paktin PS-PD të 2007 teksa shtoi se atëherë u shfrytëzua vullneti i opozitës. Sipas Bashës marrëveshja e atëhershme nuk u zbatua. “Nuk kemi përjashtuar asnjëherë dialogun. Por dy gjëra të ndryshme është propaganda, pra, ulja për t’u ulur, siç ndodhi në 2017-ën, ku u shfrytëzua vullneti i mirë i opozitës për të vënë interesin e Shqipërisë mbi interesa tona politike. U nënshkrua një marrëveshje, e cila nuk u zbatua”, tha Basha.
Reforma zgjedhore
Ndër të tjera, Basha foli edhe për reformën zgjedhore, si edhe u pyet nëse PD do të tentojë të marrë pjesë në reformën zgjedhore, pasi deri më tani nuk kanë pasur peshë në vendimmarrje. Sipas Bashës, Rama nuk po e lejon opozitën jashtëparlamentare që të marrë pjesë në reformën zgjedhore, teksa thekson e kjo e fundit është një kusht që e ka vendosur Bundestagu dhe nuk mund të bëhet ndryshe. “Ne e kemi bërë fare të qartë rrugën për të ecur përpara. Kemi marrë një përgjegjësi që në fakt nuk na takon ne, por i takon mazhorancës. Por siç e keni parë z.Rama e ka trajtuar këtë si një luks personal dhe mendon se duke u tallur apo duke krijuar procese falso dhe artificiale, do të arrijë të blejë pak më shumë kohë. Nuk arrin dot ta shesë sapunin për djathë. Kushtet e Bundestagut janë të qarta, reforma zgjedhore duhet të jetë me pjesëmarrje të të gjithë forcave politike dhe kjo reformë zgjedhore nuk duhet të kalojë vetëm në letër, por të zbatohet. Që do të thotë për ne, zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje kushtetuese lokale”, tha ai. /Arbjona ÇIBUKU