Vendimi i Gjykatës së Apelit për rikthim në pikën zero për hetimin e Saimir Tahirit ka sjellë reagimin e ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani. Ky i fundit përmes një postimi në rrjetin social Facebook deklaroi se përmes këtij vendimi Apeli nuk ka dhënë argumente bindëse, duke deklaruar se hoqi dorë nga një çështje e nxehtë dhe me ndikim te publiku.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Manjani u shpreh se Gjykata e Apelit i kishte të gjitha bazat e nevojshme ligjore për të rihapur vetë hetimin, pa e dërguar në Shkallën e Parë. Manjani e sheh si tejkalim të ligjit rikthimin për hetim nga Shkalla e Parë. “Nuk bind vendimi i Apelit për çështjen Tahiri. Duket si heqje nga dora e një patate të nxehtë. Duket si vendim vettingu. Të paktën me aq sa përçohet në media nuk bind argumenti i përdorur. Prishja e vendimit dhe kthimi për rigjykim bëhet vetëm për çështje procedurale dhe jo për materien e çështjes.
Gjykata e Apelit kishte të gjithë bazën e nevojshme ligjore të rihapte vetë shqyrtimin në themel të asaj çështje, dhe jo ta kalonte në shkallë të parë. Ekzakt ato arsye që e kanë detyruar Apelin të prishë vendimin, duhet të ishin shkak për rigjykim të çështjes nga vetë gjykata e Apelit. Kalimi për rigjykim për këto shkaqe të themelit, duket si tejkalim i ligjit. Lexojini me vëmendje nenet 427 dhe 428 të Kodit të Procedurës Penale”, tha Manjani.
Ish-ministri i Drejtësisë shtoi në reagimin e tij se këto zvarritje për hetim nuk do të sjellin asnjëherë përshpejtim të proceseve gjyqësore, ku theksoi se vetë avokatët e dinë shumë mirë arsyet. “Këto nene nuk sugjerojnë zvarritje të çështjes, por gjykim të themelit të akuzës në të dy shkallët e gjykimi. E përsëris: rigjykimi lejohet të bëhet për çështje të procedurale. Nëse kjo praktikë legjitimohet, në Shqipëri nuk ka më shans të mbyllen shpejt proceset gjyqësore. Megjithatë, avokatët e çështjes e dinë më mirë se ku i pikon çatia kësaj çështje”, tha ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.