Këshilli i ri Bashkiak nisi dje punën me miratimin e një sërë vendimesh me karakter social, që u vijnë në ndihmë familjeve në nevojë, si dhe personave me aftësi të kufizuara. Në ditën e lindjes së humanistes dhe Shenjtores shqiptare Nënë Tereza, Këshilli Bashkiak miratoi propozimin për rritjen e kuotës së trajtimit me ushqime për personat në nevojë që frekuentojnë mensat dhe strehat sociale.
Sipas këtij vendimi, niveli i kuotës financiare për shpenzime ditore të ushqimeve për personat që përfitojnë shërbime në qendrat sociale të përkujdesit shoqëror në varësi të Bashkisë Tiranë nga 160 do të jetë në vlerën e 230 lekëve dhe për personat që përfitojnë shërbime në qendrën sociale “Strehëza Tiranë” nga 300 në vlerën e 360 lekëve. “Në Tiranë, vitet e fundit kemi hapur 7 qendra sociale dhe po marrim këtë vendim sepse duam të shtojmë kuotizacioin ditor që shpenzojmë për mensat sociale. Pra, duam të shtojmë më shumë fruta-perime, më shumë vakte, më shumë kapacitete. Do të thotë që praktikisht e rrisim me 50% kuotizacionin që i dedikojmë secilit person që ushqehet në qendrat sociale”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Gjatë fjalës së tij, ai dha lajmin e mirë se ky vit i ri arsimor do ta gjejë Tiranën me një shkollë të re dhe më të mirën në Shqipëri. Bëhet fjalë për shkollën “Servete Maçi” në Njësinë 9, ku 600 nxënës do të gjejnë një shkollë me kushte më të mira dhe arkitekturë të veçantë. “Di t’ju them se është disa herë më e bukur dhe më e arrirë se shkolla “Kosova”. Ajo është një nga veprat më të arrira, është shkollë muzike, qytetase, pra jo vetëm e Njësisë 8 dhe 9, por për të gjithë ata që kanë zgjedhur shkollën e muzikës, të cilët do të na bëjnë të ndihemi krenarë. Ata që janë të vjetër në Këshillin bashkiak i kanë marrë vendimet për atë shkollë, dhe ata që janë të rinj dhe që përfaqësojnë komunitetin e Njësisë 8 dhe 9, apo nga e gjithë Tirana, ku ata që janë me prirje muzikore, sidomos 600 familje, do të çojnë fëmijët e tyre në shkollën e re ‘Servete Maçi’”, tha Veliaj.