Kryeministri Edi Rama ka dhënë një koment edhe për deklaratën e Halim Kosovën, ku ky i fundit pohoi se nëse Rama do e ftohte të jepte kontributin në shëndetësi do të pranonte.
“A mund t’iu besohet atyre, kur doktor Halim Kosova del e thotë publikisht se ku janë ata në raport me këtë luftë dhe se cilët janë ata që japin mend dhe bëjnë akuza në mes të kësaj lufte. Unë them jo, nuk mund t’ui besohet atyre vazhdimi i asnjërës prej punëve që kemi nisur.
Nuk mund t’iu besohet atyre fati i drejtësisë. Si mund t’iu besohet atyre fati i luftës në këtë përballje për shëndetin e të gjithë njerëzve tanë. Në këtë përballje me një armik që nuk zgjedh demokratë e socialistë, nuk sheh majtas e djathtas, nuk do t’ia dijë nga vjen, kush je, sa ke, por godet.
Ashtu si ky armik i padukshëm nuk na nda, por na godet nga të katër anët, ashtu duhet të jemi dhe ne të bashkuar, duke lënë pas krahëve politikën e duke u përqendruar te lufta për shëndet”, deklaroi kryeministri Rama.