Ilir Meta ka shprehur mbështetje për qeverinë në këtë situatë në të cilën ndodhet vendi për shkak të pandemisë së koronavirusit. Referuar bashkëpunimit të fundit mes Presidentit dhe maxhorancës, i pyetur nga Eni Vasili në “Open” nëse është në një stinë pranvere me qeverinë, Meta tha se pranvera e tij e vetme është në raport me Kushtetutën.
“Së pari, nuk kemi të bëjmë me një pranverë marrëdhëniesh pas një dimri marrëdhëniesh. Këto janë koincidenca tërësisht. Pranvera ime e vetme si President i Republikës është në raport me Kushtetutën. Jam gati të jetoj çdo stinë pranverore me ata që respektojnë kushtetutën. Qeveria është në presione të forta, është vetë situata që imponon vendimmarrje jo të lehta, është momenti për ta mbështetur qeverinë, sikurse është momenti për të kuptuar se ruajtja e kushtetueshmërisë është vendimtare dhe kjo situatë nuk mund të keqpërdoret për veprime abuzive në të drejtat e qytetarëve tanë. Përballimi i pandemisë është objektiv i gjithë aktorëve. Qytetarët shqiptarë i janë përgjigjur me përgjegjësi kësaj situate. Është bazë e një suksesi”, tha Meta.