Thellohen akoma më shumë përplasjet mes Presidentit Ilir Meta dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati për çështjen e negociatave me Greqinë. Edhe pse deri më tani janë dhënë pak informacione nga pala shqiptare dhe ajo greke në lidhje me ecurinë e bisedimeve për delimitimin e zonave detare, ndonëse janë zhvilluar tre takime mes grupeve negociatore, gazeta ka mësuar se ekspertët e kanë mbyllur marrëveshjen mes tyre dhe për momentin i kanë ndërprerë korrespodencat mes tyre për t’i rifilluar ato sërisht në shtator. Sipas informacioneve pala shqiptare dhe ajo greke pas mbylljes së takimit të tretë mes negociatorëve kanë hartuar projekt-marrëveshjet dhe i kanë shkëmbyer mes tyre për të arritur më pas marrëveshjen përfundimtare të delimitimit të zonave detare.
Por ky veprim i grupit negociator, duket se ka sjellë pakënaqësi të madhe tek Presidenti Meta. Kjo për faktin se dorëzimi i projekt-marrëveshjes është bërë pa marrë miratimin e Ilir Metës. Presidenti Meta prej kohësh i ka kërkuar ministrit Bushati që ta mbajë të informuar në lidhje me ecurinë e negociatave. Por edhe pse gjatë muajit qershor-korrik ka pasur letërkëmbime mes dy institucioneve sa i takon negociatave për delimitimin e zonave detare, veprimi i grupit negociator ka bërë që Meta të irritohet me Bushatin dhe t’i ndërpresë kontaktet ne lidhje me diskutimet me Greqinë.
Presidenti Meta përveç ndërprerjes së kontakteve ka dhënë sinjale se mund ta rrëzojë marrëveshjen e detit me Greqinë edhe nëse pala greke pranon projekt-marrëveshjen e propozuar nga pala shqiptare. Kjo sepse Presidenti Meta ka shfaqur pakënaqësi edhe në lidhje me projekt-marrëveshjen e propozuar nga pala shqiptare për delimitimin e zonave detare. Si pasojë e informacioneve të marra nga negociatorët e tij pranë grupit negociues, Meta ka dalë kundër propozimit të grupit negociator shqiptar.
Madje, ai ka shfaqur edhe shenja irritimi me konkluzionet e propozuara nga ekspertët shqiptarë. Megjithatë, përplasja mes Metës dhe Bushatit pritet të thellohet akoma më shumë gjatë muajit shtator pasi Presidenti ka bërë me dije se do të presë Gjykatën Kushtetuese para se të jap vendimin për marrëveshjen. Ndërkohë që qeveria kërkon që ta mbyllë sa më shpejt marrëveshjen me palën greke.
Ja detajet e projekt-marrëveshjes
Pas takimit të tretë që u zhvillua në 23 qershor, grupi i negociatorëve shqiptarë, sipas informacioneve, ka paraqitur një projekt-marrëveshje të hartuar prej tyre, duke mos marrë në shqyrtim propozimin e kompromisit të bërë nga pala grek në takimin e mëparshëm. Sipas informacioneve testi i kësaj projekt-marrëveshje është hartuar duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010 si dhe në Konventën për të drejtën e detit. Përpara se të hartonte këtë projekt-marrëveshje, grupi negociator shqiptar ka vizituar në terren të gjithë vijën bregdetare që nga gjiri i Ftelias e deri tek Kepi i Qefalit, në mënyrë që të hartonte një marrëveshje sa më të mirë.
Por pavarësisht këtij fakti njëri prej 13 negociatorëve, nuk e ka firmosur projekt-marrëveshjen, duke shprehur rezerva të shumta ndaj propozimit të bërë nga shumica e grupit negociator. Ndërkohë që nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e ka cilësuar si të papranueshëm dhe në shkelje me ligjin këtë veprim të anëtarit të grupit negociator.