Presidenti ka shpallur ditën e djeshme fitoren në betejën me mazhorancën për Gjykatën Kushtetuese. Pas publikimit të raportit të Komisionit të Venecias, presidenti ka dalë dje në një konferencë për shtyp, ku është shprehur se Komisioni Europian i dha atij të drejtë dhe ka shtuar sulmet ndaj Dvoranit. Në fjalën e tij, gjatë konferencës për shtyp, Meta deklaroi se raporti i Venecias,
faktoi më në fund se fajtori për përplasjet që janë krijuar mes Presidencës dhe Parlamentit është Dvorani. Sipas presidentit, ish-kreu i KED, Ardian Dvorani, ka kryer veprime anti ligjore dhe Meta theksoi se opinioni i Venecias ia ka deleguar përgjegjësinë Dvoranit. “Komisioni i Venecias konfirmoi qartë se shkaku i përplasjes institucionale midis Kuvendit dhe Presidentit të Republikës ishin veprimet antiligjore të ish-Kryetarit të KED-së dhe veçanërisht të mënyrës së dërgimit të listave prej tij.
Opinioni qartëson pa asnjë ekuivok se përgjegjësia individuale e ish-Kryetarit të KED, për kohën dhe mënyrën e dërgimit të listave, është tërësisht e provuar, sepse ai nuk e diskutoi në mbledhje plenare me të gjithë anëtarët e KED siç e kërkon ligji”, është shprehur Meta. Më tej presidenti është shprehur se Komisioni i Venecias ka konfirmuar po ashtu se, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk ka funksionuar në mënyrë transparente. Ai përmendi këtu përjashtimin e Avokatit të Popullit nga mbledhjet e KED, si një veprim antikushtetues.
“Komisioni i Venecias konfirmoi se KED ka funksionuar në mënyrë jo transparente dhe përjashtimi i Avokatit të Popullit nga mbledhjet e KED është veprim antikushtetues. Ja çfarë thotë Komisioni i Venecias në pikën 90 të Opinionit: “Për më tepër, KED nuk funksionoi në mënyrë transparente. Transparenca është thelbësore për të fituar besimin e publikut në procedurën e emërimit, pra të vet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, KED shpërfilli praninë e detyrueshme kushtetuese të Avokatit të Popullit si vëzhgues qoftë në përzgjedhjen përmes shortit, qoftë edhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e KED-së”, është shprehur presidenti.
Meta:Veprimet e presidentit në përputhje me ligjin
Sakaq, pasi u shpreh se Komisioni i Venecias ia ka deleguar përgjegjësitë Dvoranit dhe shtoi se ky i fundit ishte fajtori i përplasjes mes Presidencës dhe Kuvendit, Meta u shpreh se veprimet e tij si president kanë qenë në përputhje me ligjin. Meta citoi sërish raportin e Komisionit të Venecias, ku nënvizoi se veprimet e tij kanë ruajtur kushtetutshmërinë. “Komisioni i Venecias në pikat 96, 98 të Opinionit konfirmoi përfundimisht se veprimet e Presidentit, jo vetëm që ishin tërësisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, por ato kanë ruajtur kushtetutshmërinë e gjithë procesit të emërimit. Në këta paragrafë, Komisioni Venecias, konfirmoi të drejtë emërimin nga Presidenti të gjyqtares së dytë dhe refuzimin e pranimit të betimit të një kandidate të vetë-zgjedhur pas deklarimit përpara një noteri. Ja çfarë thotë Komisioni i Venecias në pikat, 96 – 98 të Raportit: 96.
Për më tepër, nëse Presidenti do kishte zgjedhur dy kandidatë, Kuvendi do të dispononte një listë me më pak se tre kandidatët, që është dhe numri minimal që parashikon Kushtetuta. “Përfundimisht, kandidati i zgjedhur nga Presidenti ishte renditur ndër tre të parët nga lista e KED, pas zgjedhjes së Kuvendit të kandidatit të tretë të listës” 98. “Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti refuzoi të pranonte betimin e gjyqtares që pretendon se u emërua automatikisht””, u shpreh presidenti.