Greg Rama, djali i kryeministrit Edi Rama ka shprehur ngushëllimet e tij për viktimat e shënuara nga tërmeti i fuqishëm, i cili goditi mëngjesin e sotëm vendin tonë. Në një postim në Instagram, Gregu thotë se mes viktimave është dhe një e afërme e tij, që sëbashku me një pjesëtar të familjes, u gjetën pa jetë nën rrënoja.
Paraprakisht dyshohet se mikja e afërt e Ramës është studentja e mjekësisë, Kristi Recci. Fati për familjen e saj ishte tragjik.
Kristi Reçi humbi edhe babain, Eduardin, nënën Dolora dhe vëllain 22-vjeçar, Klausin, të cilët janë nën rrënojat e pallatit 6 katësh në lagjen 18 në Durrës.
Kristi Reçi kishte një ëndërr: të bëhej doktoreshë dermatologe dhe të vazhdonte jetën në shërbim të komunitetit si mjeke. Por ëndrra e saj u ndërpre në mes.
Lidhur me këtë dedikim ka reaguar për herë të parë kryeministri Rama. Gjatë intervistës live, Rama tha se nuk dëshiron të flasë për aspekte personale të djalit të tij. Pas këtyre fjalëve ai u largua papritur nga intervista.
Rama tha:
“Nuk dua të flas për gjëra që lidhen me aspekte personale dhe gjëra të djalit. Unë sot jam në një pozitë të pamundur ta shpjegoj”.