Disa prej miliarderëve të teknologjisë po investojnë shuma të mëdha në kërkime që synojnë ngadalësimin e plakjes dhe zgjatjen e jetës, por fizikani britanik Jim Al-Khalili e sheh ndryshe këtë garë.
Në një intervistë për The Guardian, profesori i fizikës teorike argumenton se përpjekja për të arritur pavdekësinë mund të jetë një “humbje kohe”, duke theksuar se pikërisht kufizimi i jetës i jep asaj një pjesë të rëndësishme të kuptimit.
Sipas tij, nëse njerëzit do të kishin kohë të pafundme, gjërat që sot i konsiderojmë të rëndësishme, si dashuria, krijimtaria, udhëtimet apo koha me njerëzit e afërt, mund të mos kishin të njëjtën peshë.
Al-Khalili bën dallimin mes kërkimit për të zgjatur jetën e shëndetshme dhe përpjekjes për të jetuar përgjithmonë. Sipas tij, shkenca ka arsye të forta për të luftuar sëmundjet dhe pasojat e plakjes, por ideja e pavdekësisë ngre pyetje shumë më të mëdha rreth mënyrës se si e kuptojmë jetën dhe kohën.
Fizikani do ta trajtojë këtë temë edhe përmes ligjëratave të “Royal Institution Christmas Lectures” 2026, ku do të flasë për misteret e kohës: pse ajo duket se ecën vetëm në një drejtim, nëse njerëzit mund të kenë “udhëtuar” tashmë në kohë dhe nëse e ardhmja është e paracaktuar.
Një tjetër pyetje që do të trajtojë është edhe ajo nëse koha ekzistonte përpara Big Bengut. Ligjëratat do të përfshijnë eksperimente dhe demonstrime për të shpjeguar konceptet komplekse të fizikës në mënyrë më të kuptueshme për publikun.
Al-Khalili është një nga komunikuesit më të njohur britanikë të shkencës dhe profesor i fizikës teorike. Artikulli i The Guardian u publikua më 18 shtator 2026.
Burimi: The Guardian
