Vendimi i qeverisë për të rikthyer nga dita e enjte detyrimin për mbajtjen e maskave në ambientet publike është kundërshtuar nga një pjesë e mjekëve.
Të shumtë janë zërat që e kundërshtojnë këtë vendim dhe që shprehen se përdorimi i maskës në ambiente të hapura nuk do të zgjidhë përhapjen e virusit. Mjeku urolog Artan Koni foli ditën e djeshme në një intervistë televizive rreth vendimit për mbajtjen e maskave edhe në ambientet e hapura duke e cilësuar këtë si një vendim shumë të vështirë për t’u zbatuar.
Sipas tij kjo masë nuk do të arrihet të implementohet siç duhet dhe kjo nuk ka të bëjë me ndërgjegjësimin apo përgjegjshmërinë e njerëzve, por me sa mundësi ata kanë. “Është vërtetuar që virusi ka një madhësi shumë të vogël dhe të mbrojnë vetëm maskat profesionale. Maskat prej cope nuk janë të dobishme”, tha ai.
Artan Koni përmendi se po merremi vetëm me maskat duke harruar elementë të rëndësishëm siç është distancimi fizik dhe për këtë ai tha se shteti duhet të subvencionojë bizneset në mënyrë që brenda tyre të ketë sa më pak njerëz. Sa i përket studimit që vërteton se virusi qëndron në ajër dhe prandaj janë marrë dhe këto masa drastike, Koni tregoi se kemi të bëjmë me një kakofoni studimesh ku nuk mund të përzgjedhim variantin e saktë.
“Në qoftë se realisht do të kishim maska të posaçme për këtë punë patjetër që do jepte efekte pozitive, por maska të tilla ne nuk kemi për të pasur, për këtë të jeni të sigurt”, tha mjeku urolog Artan Koni. Po ashtu, në të njëjtën linjë ishte edhe mjeku epidemiolog Fabian Cenko, i cili gjatë një interviste deklaroi se situata e deritanishme nga koronavirusi në Shqipëri nuk dikton shtrëngim masash në Shqipëri.
Sipas tij shifrat që vijnë nga Italia dhe Europa përligjin masat që merren në Shqipëri. Duke krahasuar situatën me vendin fqinj, Cenko thekson se në Shqipëri nuk mund të flasim për një valë të dytë, por është një ecuri në rritje që vazhdon prej qershorit, ndërkohë që pohon se numrat janë më të larta se deklarimet. “Në Shqipëri kemi një ecuri që vazhdon që prej qershorit dhe vazhdon të rritet.
Masat duhet të bazohen në të dhëna. Në Itali, që para dy javësh, ka filluar një valë e dytë. Shifrat që vijnë nga Italia dhe Europa përligjin masat që merren në Shqipëri. Nëse ne kemi 130 raste prej dy muajsh për çfarë arsye duhet të flasim për një përshkallëzim masash. Nuk ka arsye për të pasur shtrëngim masash. Unë besoj që të dhënat e padukshme kanë një rritje. Si mund të ketë 130 raste në gusht dhe po kaq në tetor”, tha Cenko.