Personat që e kanë kaluar Covid-19 nuk kanë nevojë për vaksinën. Kështu u shpreh këtë mjeku Genc Sulçebe. Ai tha se këta persona kanë antitrupa dhe kjo vërteton që janë imunë ndaj sëmundjes.
“Nga momenti i vaksinimit të dozës së parë duhet të presim minimumi 2 muaj që ne të konsiderohemi të mbrojtur. Duhet të kemi parasysh që personat që e kanë kaluar infeksionin dhe që kanë antitrupa nuk kanë nevojë të bëjnë vaksinën.
Ka shumë njerëz që pa e ditur janë imunizuar, kanë antitrupa. Është mirë që ata të bëjnë serologjikun. Nuk ka nevojë që të bëjnë vaksinën.
Vaksinimin e bëjmë që të krijojmë imunitet dhe ky imunitet vërtetohet nëpërmjet antitrupave. Nëse vërtetohen antitrupat do të thotë që jemi imunë”, tha ai.
Sipas mjekut, antitrupat, shkencërisht mbrojnë deri në 6 muaj, por ato mund të zgjasin edhe më shumë se 2 vite.
Megjithatë, Sulçebe tha se nuk janë vetëm antitrupat që mbrojnë sistemin imunitar, por nga mbrapa qëndron një tjetër ushtri me qeliza:
“Shkencërisht thuhet se antitrupat mbrojnë të paktën 6 muaj, por normalisht duhet të mbrojnë më tepër se 2 vjet.
Antitrupat janë vetëm maja e ajsbergut të mbrojtjes imunitare. Mbrapa antitrupave qëndrojnë një ushtri qelizash që janë qeliza kujtesë dhe që janë gati për t’u nxitur ndaj çdo ngacmimi që vjen”.
Në një kohë kur pandemia ka kufizuar jetesën e gjithësecilit, shpresa dhe e gjithë vëmendja është përqendruar tek vaksina. E sigurisht një pyetje që shtrohet është nëse kjo vaksinë do të na mbrojë nga virusi në mënyrë të përhershme, ashtu si në rastin e vaksinës nga tuberkulozi apo rubeolës, apo do të duhet që të përsëritet.
I pyetur pikërisht për këtë, eksperti Arban Domi tha se kjo nuk dihet. Por bazuar në dijet që mjekët kanë për koronaviruset në përgjithësi është se ato janë sezonalë, që do të thotë se rikthehen, njësoj si gripi i zakonshëm.
Ndaj Domi thotë se me gjasë edhe Covid-19 nuk do të zhduket nga vaksina. Megjithatë eksperti shprehet se një moment që një person është vaksinuar do ta kalojë virusin shumë më lehtësisht.
Është një vaksinë që po e bëre i ke “larë duart” me Covid-19, apo duhet përsëritur?
E përgjithshmja është që nuk e dimë, sepse është vaksinë disa mujore. Ndërsa mendimi im dhe besoj që të dy doktorët në panel do të jenë dakord me mua, është se koronaviruset në përgjithësi janë sezonale, si dhe gripi, dhe për shumë arsye që nuk e di në do kemi mundësi t’i diskutojmë ato do të vijnë vit pas viti dhe nuk mendoj që vaksinimi do ta zhdukë.
Është një gjë shumë e rëndësishme të dihet, sepse u përmendën maskat pas vaksinimit. Po flitet për maskat pas vaksinimit, sepse të dyja vaksinat, të paktën këto që janë më të zhvilluarat, Pfizer dhe Moderna, nuk të shpëtojnë nga infeksioni. Por të lejojnë që ta kalosh sëmundjen.
Kjo ka anën pozitive dhe negative. Ana pozitive është që duke të ulur simptomat, sëmundja do të jetë shumë-shumë më e ulët se normalisht (agresiviteti do jetë shumë më i ulët). Në shumicën e njerëzve nuk do të ndihet fare pas vaksinës. Por në mosha të ndryshme ose me sëmundje, mund të jenë më të prekur, por gjithmonë shumë më mirë se në kushtet pa vaksinë.
Pra është e ngjashme me atë të gripit, që të lejon ta kalosh gripin lehtësisht, por jo se të ruan në të gjitha rastet nga gripi?
Saktësisht. Ana negative nëse do ta quaj, jo për këtë vaksinë, por është tipi i virusit. Duke qenë se virusi do të vijojë të qarkullojë, do të jetë në një presion nga vaksina dhe nga shpërndarja në vende të ndryshme, kështu që do të ketë një predispozim ndryshimet genetike. Për fat të mirë ndryshimet genetike deri më tani nuk kanë treguar që virusi të ndryshojë seriozisht, por në të ardhmen nuk e dimë dhe në këtë rast vaksina mund të mos bëjë më punë, pas 1-2 vitesh.