Bumi i denoncimeve për familjen “Metaj” në Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit duket se ka prishur humorin dhe qetësinë e bashkëshortes së ish-presidentit Ilir Meta, deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi.
Në tryezën dhe sirtarët e Prokurorëve të SPAK ndihen disa dosje penale sa i takon kallëzimeve që ish-deputeti Halit Valteri dhe avokat i njohur, Idajet Beqiri kanë bërë kundrejt Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës, të cilët akuzohen për disa vepra penale, si pastrim parash, fshehje taksash dhe korrupsion. Për këtë arsye, mësohet se dje në ambientet e Prokurorisë së Posaçme është paraqitur zonja kryemadhi, e cila mësohet se është thirrur për të dhënë shpjegime mbi kallëzimet e Valterit dhe Beqirit.
Madje, sikundër theksuan të njëjta burime, mësohet se kjo lëvizje e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për të thirrur për të dëshmuar Kryemadhin, ka ardhur si rezultat i thellimi të hetimit sa i takon denoncimeve për ta nga zoti Valteri dhe Beqiri, duke lëkundur pozita e bashkëshortes së Metës. Megjithatë, kjo strategji e ndjekur nga SPAK ka shqetësuar Partinë e Lirisë, zyrtarët të së cilës dje deklaruan se deputetja e PL, Monika Kryemadhi është thirrur në SPAK si person që ka kallëzuar aferën me inceneratorin e Elbasanit.
Denoncimi i Valterit për Kryemadhin
Ish-deputeti Halit Valteri ka depozituar në SPAK një kallëzim penal për presidentin Ilir Meta, kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhin dhe Vangjel Tavon. Ai i akuzon ata për korrupsion aktiv dhe pasiv në sektorin privat, për fshehje të pasurisë, mospagim të taksave dhe tatimeve dhe shpërdorim detyre. Në arsyetimin e tij, Valteri thekson se disponon të dhëna që ngrenë dyshime për konsumimin e këtyre veprave penale.
Duke cituar artikuj të publikuar në media, Halit Valteri flet për kontrata lobimi në SHBA që i paraprinë fushatës zgjedhore të vitit 2017, për të cilat thotë se nuk janë deklaruar nga LSI. Sipas tij, ato janë financuar përmes kompanive offshore në Qipro. Lobimi – thotë kandidati për deputet i PS –është bërë për kauza të rreme, me qëllim dezinformimin e zgjedhësve, duke i bërë të mendojnë se LSI ka përkrahjen e Qeverisë Amerikane.
Beqiri kallëzoi në SPAK çiftin Meta-Kryemadhi
Por përveç denoncimet të ish-deputetit Valteri, një tjetër kallëzim për korrupsion dhe fshehje të ardhurash është dorëzuar në SPAK për ish-presidentin Ilir Meta dhe bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin. Kallëzimi, është bërë nga avokati Idajet Beqiri, që kërkon hetim ndaj Metës për “fshehje të ardhurash” dhe “korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.
Beqiri deklaroi pak javë më parë për gazetën “SOT”, se si avokat, por dhe si drejtues i Partisë së Unitetit Kombëtar, ka siguruar të dhëna që ngrenë “dyshime të arsyeshme se nga ana e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, janë konsumuar veprat penale të cituara në objektin e kallëzimit”. Ai thotë se faktet dhe dokumentet që zotëron për Metën dhe Kryemadhin, të cilat do t’i depozitojë në Prokurorinë e Posaçme Anti Korrupsion.
Sipas Beqirit, Meta, Kryemadhi dhe fëmijët e tyre kanë kryer trajtime estetike që arrijnë vlera marramendëse në një klinikë private në San Marino. Të dhënat e çiftit gjenden në kartelat mjekësore të spitalit dhe provohen me hyrje-daljet e sistemit TIMS, thotë ai dhe përmend një rast kur trajtimin estetik e ka bërë deputetja.
Sipas transfertës, së datës 4 qershor 2018, paguar nga një llogari anonime nga një bankë offshore në Qipro, trajtimi kap vlerën e 287.650 euro. Asnjëra nga këto pagesa nuk është deklaruar në deklaratat vjetore të tyre, që do të thotë se kanë paguar me para të përfituara nga aferat korruptive, që i kanë futur në bankë në rrugë të jashtëligjshme. Si në regjistrat financiarë të spitalit, pagesat bankare të spitalit, kartelat mjekësore dhe hyrje-daljet në sistemit TIMS, rezulton se kjo shtetase ka bërë ndërhyrje dhe pagesa në vlera të mëdha në spitalin e San Marinos. /Rigels Seliman