Nga Ola Xama
Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi në seancën e fundit të diskutimit të ligjit të buxhetit shtesa të shpenzimeve qeveritare me vlerë 3.5 miliard lekë.
Shumën më të madhe në e zinin paketat e qeverisë për rimbursimin e ilaçeve të Covid-19, dhënien e pagesave të papunësisë duke përfshirë dhe naftëtarët dhe fondi për ndërtimin e Teatrit Kombëtar.
Në argumentimet që iu bënë ndryshimeve të fundit në buxhet, fondet për këtë shumë do të vijnë si rezultat i mirëadministrimit tatimor përmes rritjes së arkëtimeve nga tatimi mbi vlerën e shtuar.
TVSH-ja në natyrën e saj si taksë vendoset mbi konsumin, pra në fund e paguan konsumatori.
Jam dakord që të gjitha financimet e qeverisë vijnë me taksat që u vilen qytetarëve, por financimi i paketave me një taksë të drejtpërdrejtë mbi konsumatorin është si t’ia futësh paratë te një xhep e t’ia marrësh nga xhepi tjetër.
Nuk pati asnjë diskutim nëse mund të uleshin shpenzime luksi për të financuar këto ndihma, studime strategjish dhe konsulenca që njihen ndryshe si “qoka”, apo për të hequr përjashtimet tatimore “tax expenditures”, të cilat favorizojnë projekte të mëdha në ndërtim përmes uljes së tvsh-së apo zerimit të taksës së infrastrukturës.
Për të financuar këto dy paketa dy janë rrugët: ose vitin e ardhshëm do të ndodhë një mrekulli ekonomike (sepse është edhe viti ku do të përjashtohen nga TVSH bizneset me xhiro deri në 10 milion lekë), ose i gjithë financimi do të bëhet përmes borxhit, pra një faturë që sërish do ta paguajnë qytetarët.
Nëse shohim rritjen e arkëtimeve nga TVSH në 5 vitet e fundit, nuk ka qënë ndonjëherë më e lartë se 5.8%. Qeveria projekton që për vitin e ardhshëm të rritë të ardhurat nga kjo taksë me 12%, e nëse llogaritim edhe 3.5 miliard të shtuara sot, rritja duhet të jetë 14%.
RRITJA E TVSH NE VITE
2015 1.5%
2016 4.2%
2017 5.8%
2018 2.8%
2019 -0.8%
2020 (akt normativ 3) -1.2%
2021 (parashikim) 12-14%
Niveli i borxhi publik këtë vit arrin në 80% të PBB-së, ndërsa Ministria e Financave projekton ta ulë atë vitin e ardhshëm në 78.6%, por nëse një pjesë e të ardhurave nuk do të realizohen dhe shpenzimet do të vazhdojnë sipas parashikimit, niveli i tij mund të kërcejë edhe mbi 80% që është sot.
Ky do të ishte diskutimi më i mirë dhe më i vlefshëm për qytetarët që duhet të kishte sot Komisioni i Ekonomisë, e mbi të gjitha opozita, dhe jo të ngrinte dorën për të miratuar çdo gjë që i serviret edhe pse në dukje populiste. Sot opozita duhet të kërkonte llogari, se ku do të gjenden paratë!