Nga Anri Bala
Ky denoncimi i sotëm i Marjana Koçekut më kujton momentin kur Kaç Islami u largua nga PS dhe u rehatua në prehërin e PD së Berishës, që e thërriste Kaçi i zi. Një grup mbështetësish dhe anëtarë të forumit rinor të PS, protestuan poshtë banesës së deputetit, e prej asaj mbrëmje Kaçi lëvizte me truproje në kryeqytet.
Nëse deputetja e pavarur është kërcënuar nga grupet kriminale, kjo është skandaloze, por ama kërkon një denoncim, jo vetëm për ta faktuar pretendimin por nuk mundet që një deputet i Kuvendit të mos zbatojë rrugën ligjore, të një skandali i këtyre përmasave.
Në fushatën e zgjedhjeve të 2025, një kandidate për deputete e “Nisma Shqipëria Bëhet”, akuzoi gjatë transmetimit live në televizion kombëtar, një person që sipas saj e kishte kërcënuar dhe i përkiste bandave kriminale të qytetit të Durrësit të lidhura me Partinë Socialiste. Duke qenë në studio e pyeta: “Dakort që ishte pjesëtar i grupeve kriminale, por si e kuptove që ishte i PS?”
Zonja u kompleksua dhe nuk hezitoi të më kërcënonte se do më hidhte në gjyq, gjë të cilën nuk e ka bërë dhe sot e kësaj dite, se për fatin e mirë të saj, policia e kishte ndaluar të riun, i cili vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe pistoleta që mbante me vete ishte lodër. Por veç policisë, ishin familjarët e qytetarit që reaguan menjëherë kur u shfaqën pamjet filmike të siguruara nga kandidatja, gjatë kohës që ishim në emision, pasi nisi histeria e ofendimeve për “banditin” në fjalë.
Që zonja mund të jetë kërcënuar nga bandat, nuk më bënë habi, por që është kërcënuar në emër të PS, këtu duhet pak më shumë zbardhje të ngjarjes, për shkak të rëndësisë që ka ky denoncim, në mënyrë që të kuptojmë nëse bandat tani fliskan dhe veprojnë me urdhër të një partie politike apo edhe në emër të saj pa pyetur njeri, që do ishte edhe më skandaloze.
Ama lidhja që deputetja e pavarur i bënë PS me bandat kriminale në Shkodër, se është kërcënuar prej tyre, nuk tregon karakterin e bandave, se ai dihet, por se ndoshta këta të fundit po kërkojnë ti kthehet diçka që u takon… dhe se kontrata ka qenë me ta dhe jo me socialistët?
Pra, nënshkruajnë “kontrata” me djallin, por s’duan të paguajnë çmimin dhe pendesën kërkojnë të na e shesin si virtyt! E në qoftë kontrata me socialistët, kurrsesi zonja s’duhet të pranonte mandatin e një partie të lidhur me grupet kriminale, për të cilën ka pasur dijeni në krye të herës!
Ka shumë raste, ku shumë individë, shkojnë të heqin vetullat por nxjerrin sytë! /Ekskluzive.al





