Avokati Spartak Ngjela shprehet se godina e Teatrit Kombëtar duhet të shembet.
Sipas avokatit nëse shteti nuk ka 150 mln euro për të bërë një gjë madhështore të mos e marrë këtë nismë fare.
“Nuk kemi Teatër, nuk vlen. Ajo sallë është turp për të qenë Teatër Kombëtar. Ajo sallë dekadente është bërë shkak edhe për rënien e nivelit të dramaturgjisë në Shqipëri, sidomos në Tiranë. Ka qenë sëmundje e vjetër që Tirana ka qenë pa teatër dramatik. Komunizimi nuk ja ka lejuar asnjë herë, ka bërë në Fier teatër modern, në Korçë, në Shkodër, në Tiranë jo. Tiranën e la në një gjendje të tillë. Zyra ime ka shkuar në një shfaqje në dimër dhe u sëmur me grip, u ftoh, ishte pa ngrohje. Unë e dija, nuk shkoj.
Nuk është një qendër për lojë dramatike, por brenda ka historinë e vet të madhe. Është diçka tjetër. Nuk e kanë krijuar trupat e 30 viteve, por trupat e mëdha që themeluan Teatrin shqiptar. Nëse duan të ndërtojnë duhet të bëjnë një vepër madhështore. Me 20 mln dollarë siç thonë këta nuk bëjnë dot një teatër por do të bëjnë një kasolle. Teatri do 150 mln euro, nëse nuk i kanë më mirë të mos e ngrenë”, tha Ngjela për Ora News.