Tre përpjekjet e ish-kryeministrit dhe liderit historik të demokratëve Sali Berisha për të fituar gjyqin për shpifje me Sekretarin e Shtetit të SHBA Antony Blinken, peticionin për të ndaluar qëndrimet politike të ambasadores amerikane Yuri Kim dhe organizimi i protestave popullore për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë po rezultojnë një dështim.
Kur kanë kaluar më shumë se 1 vit që prej shpalljes “non grata” nga Uashingtoni për korrupsion dhe minim të demokracisë, Berisha ia ka dalë të rimarrë kontrollin e Partisë Demokratike, por në përballje me SHBA dhe Kim për të hequr damkën “non grata” si dhe në premtimin për rrëzimin e Ramës nga pushteti, ish-kryeministrit nuk i kanë rezultuar tentativa të suksesshme. Tashmë, “malorja” për rikthimin në majën e pushtetit pasi gati 10 vitesh është parashikuar që do të jetë me mjaft pengesa të vështira aq sa tashmë edhe mazhoranca me shumë faktorë të tjerë po shfrytëzojnë çdo për ta penalizuar dhe delegjitimuar si kundërshtar politik.
Pavarësisht rrethanave mjaft të pafavorshme për t’u rizgjedhur kryeministër, Berisha është shfaqur kurajoz para demokratëve se do t’i fitojë 3 betejat e nisura të sipërpërmendura. Dhe këto kanë rezultuar mjaft efektive për të siguruar kontrollin dhe drejtimin e PD, por duke parë se ende nuk ka siguruar asnjë rezultat në këto 3 fushata, mund të krijohet mendimi se këto 3 “beteja” kanë qenë një taktikë e mirëmenduar për të siguruar besimin dhe mbështetjen e pakursyer të elektoratit të vet, por mosarritja e asnjë rezultati pozitiv të lë dyshosh se ish-kryeministri duke e ditur që ka shumë pak gjasa për të mposhtur SHBA, Kim dhe Ramën, mund të ketë kryer një strategji propaganduese për të joshur sërish demokratët. Le të shikojmë ecurinë e 3 “fushatave” të Berishës:
Gjyqi ndaj Blinken për shpifje, ja si Berisha pranoi se nuk është i avantazhuar
Në 21 prill gjatë një konference për mediat, Berisha thuajse pranoi se e ka humbur gjyqin për shpifje ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken në Paris. Ai deklaroi se shefi i diplomacisë amerikane favorizohet nga fakti që nuk është shtetas francez (padia është dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Parisit) se ka imunitet. Edhe pse Berisha është kritikuar se duhej që ta padiste Blinkenin në një Gjykatë të SHBA, ai bëri me dije se ishte papërballueshme financiarisht.
Pas mëse 1 viti që nga premtimi për padi ndaj shefit të diplomacisë amerikane për shpifje (statusi “non grata”), ende nuk ka dalë asnjë njoftim për datën e seancën gjyqësore. Në këtë situatë, lind dyshimi nëse Berisha e ka tërhequr padinë ndaj Blinkenit dhe po mashtron elektoratin duke premtuar se do t’i shkojë në fund betejës për nderin e tij politik dhe njerëzor. “Avokati po merret me të, do të më njoftojë. Nuk merrem unë fare, ai ka bërë padinë. Dy faktorë janë kundër dhe janë shumë të fortë: Fakti që asnjë nuk është shtetas francez, dhe së dyti që Sekretari i Shtetit ka imunitet.
Tani të them çfarë ka në favorin tim. Në favorin tim është një ligj ndërkombëtar i pashkruar: ‘shpifja dënohet aty ku del’. Si rregull, shpifja nuk është funksion zyrtar, ndaj imuniteti mund të jetë ose mund të mos jetë. Unë nuk kam paditur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi gjykata është shumë e kushtueshme”, deklarohej lideri historik i demokratëve.
Peticioni kundër Yuri Kim sfumohet, nuk u arrit kuota e mjaftueshme
Në 25 prill, në rrjetet sociale nisi të qarkullonte një peticion kundër ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim për të dënuar sjelljet e saj ndaj Partisë Demokratike dhe sistemit të drejtësisë në Shqipëri lidhur me çështjen e dy Kuvendeve të 11 dhe 18 dhjetorit 2021. Në 5 maj, numri i firmave shkoi në më pak se 6500. Berisha nuk e pranoi kurrë që ai e kishte ideuar këtë peticion, por deputeti i “Foltores” Edi Paloka deklaroi në fillim të këtij muaji se ai e kishte firmosur peticionin pasi pajtohej 100% me objektin e kësaj kërkese.
Paloka këmbënguli se Berisha apo “Foltorja” nuk e kishte ideuar apo porositur organizimin e këtij peticioni ndaj Yuri Kim pasi nuk kishin nevojë për të ndërmarrë veprime të tilla. Në dukje, në rrjetet sociale u pa se ky peticion u ideua nga Milaim Nela, një emigrant shqiptar në Britaninë e Madhe, i cili është mjaft aktiv me komentet kundër qëndrimeve të ambasadores amerikane ndaj lidershipit të PD dhe në mbështetje të Berishës. Madje, ai bëri thirrje në televizionin “Syri TV” për firmosje masive të këtij peticioni.
“Syri TV” pretendohet se financohet nga djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. “I kemi bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që ta firmosin peticionin. Kushdo që ndan të njëjtin mendim me ne, të na bashkohet”, shprehej Nela. Megjithatë, burime të gazetës “SOT” pranë Grupit të Rithemelimit pranuan në fillim të majit se ky peticion rezultoi një “flluskë sapuni” pasi nuk u siguruan dot firmat e mjaftueshme për t’i kërkuar Departamentit Amerikan të Shtetit për t’i tërhequr vëmendjen diplomates Yuri Kim për ndërhyrjet skandaloze në çështjet e PD dhe në sistemin e drejtësisë për të delegjitimuar “Foltoren”. Deri më sot, asnjëri prej anëtarëve të “Foltores” nuk është shprehur për ecurinë e këtij peticioni, ndërsa media dhe opinioni publik duken se e kanë harruar.
Protestat, Berisha ndërron mendje në 27 maj
Një ditë para zgjedhjes së Kryesisë së PD nga Këshilli Kombëtar, Berisha pranoi se nuk është momenti i duhur për të organizuar protesta qytetare kundër qeverisjes socialiste të Edi Ramës për shkak se partia po kalon një proces riorganizimi dhe rithemelimi të saj. Por, tashmë teksa Berisha u rikonfirmua për herë të tretë si lider i PD dhe kur tashmë ka ngritur dhe Kryesinë e Këshillin Kombëtar (dy organet më të rëndësishme të partisë) dhe kur procesi i riorganizimit është drejt fundit, është befasuese se si në këtë moment kur me qeverinë socialiste po i shtohen përditë skandalet, ish-kryeministri bën prapakthehu.
Ndoshta duke parë dhe rezultatin e zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit, ku edhe nëse PD nuk do të ishte ndarë, përsëri nuk arritej dot fitorja ndaj PS. Megjithatë, Berisha mund të ketë kuptuar që ndoshta popullariteti i tij përtej demokratëve është totalisht i zbehtë dhe mjaft i vështirë për t’u shtuar dhe duke qenë një figurë shumë e konsumuar politike për shkak dhe të aferave korruptive dhe ngjarjeve të rënda të Gërdecit dhe 21 janarit gjatë qeverisjes së tij, thirrjet për protesta popullore mund të kenë rënë në vesh të shurdhët. Ndoshta ai mund ta ketë kuptuar se me një largim masiv të të rinjve shqiptarë, mungesën e alternativave të reja politike, ka gjasa që Rama dhe socialistët të sigurojnë në 2025 dhe mandatin e katërt qeverisës.
“Është procesi që po kalon PD, një proces i domosdoshëm dhe jetik për rithemelimin e saj. Është një kohë e humbur për protesta. mjaftojnë 2 vrasjet e fundit nga policët e droguar. Njëri u ekzekutuar brenda në komisariat, dhe tjetri njeri me probleme të shëndeti mendor që nuk kishte pasur agresivitet asnjëherë qëllohet”, deklarohej ish-kryeministri për organizimin e protestave mbarëpopullore kundër qeverisjes së Edi Ramës me “Rilindjen”. /Dario Velaj