I mbuluar me flamurin turk dhe me një pankartë në duar ku shkruhej “Jo për paratë, por për dinjitetin tim”, ish-polici 60-vjeçar Ali Sekeroglu iu bashkua protestës së pensionistëve në Ankara. Gjatë tubimit përpara Gjykatës Kushtetuese, ai i dha fund jetës me armë zjarri para protestuesve.
Sekeroglu kishte dalë në protestë për të njëjtën arsye si pensionistët e tjerë: kërkonte rritjen e pensioneve, ndërsa kishte deklaruar se të ardhurat që merrte nuk i mjaftonin për të përballuar shpenzimet e jetesës.
Por një prej detajeve që del nga raportimet për jetën e tij lidhet me nipin. Ish-polici ishte baba i dy fëmijëve dhe së fundmi ishte bërë gjysh. Për shkak të vështirësive ekonomike, raportohet se nuk kishte pasur mundësi t’i bënte nipit dhuratën prej ari, një traditë e zakonshme në Turqi.
Pak para se të shkonte në protestë, Sekeroglu kishte bërë edhe një thirrje në rrjetet sociale. Mesazhi i tij ishte që njerëzit të mos qëndronin në shtëpi me mendimin se prania e vetëm një personi nuk do të ndryshonte asgjë.
“Nëse nuk je aty, do të mungojë një person. Mos thuaj: ‘Çfarë ndryshimi do të bëjë nëse nuk shkoj?’ Forca qëndron te bashkimi”, kishte shkruar ai.
Ish-polici kishte kërkuar gjithashtu që autoritetet dhe drejtuesit e vendit të dëgjonin shqetësimet e pensionistëve.
Protesta në Ankara ishte pjesë e tubimeve të zhvilluara të premten në qytete të ndryshme të Turqisë. Pensionistët kërkuan rritjen e pensioneve, me argumentin se të ardhurat mujore nuk u mjaftojnë më për të mbuluar nevojat bazë.
Në muajin korrik, pensioni minimal në Turqi ishte 23 552 lira turke në muaj, ose rreth 420 euro.
Ndërkohë, një tjetër e dhënë vjen nga Shoqata e Policëve. Sipas saj, vetëm gjatë javës së kaluar janë regjistruar katër raste vetëvrasjeje mes policëve dhe ish-policëve: dy ishin punonjës policie në detyrë dhe dy ish-policë.
Një nga rastet është raportuar në Jallovë, ku një pjesëtar i forcave speciale i dha fund jetës vetëm dy muaj pasi kishte nisur punën në polici.
Një tjetër rast është regjistruar në Manisa, ku një ish-polic u vetëvra në banesën e tij.

