Kryeministri, Edi Rama, u ka premtuar qytetarëve të Pogradecit se shumë shpejt do të nisë rindërtimi me themel i rrugës së Tushemishtit. Jo vetëm kaq. Rama premton se me patjetër në vijim do të ndodhë transformimi i vijës liqenore në një “lungolago” spektakolare për banorët e për turistët e qytetit të Lasgushit. Lajmin Rama e dha ndërsa postoi në faqen e tij në facebook foto nga pastrimi i kodrave buzë liqenit nga mbeturinat.
Rama shkruan: Edhe në zonën e një kalaje tjetër të rënë bashkë me Lëvizjen Antishtet, në Pogradec, ku punonjësit e bashkisë kishin hedhur lopatat e fshesat dhe ishin kthyer në turistë politikë, ik e eja në Tiranë me autobuzët e protestave, ka nisur menjëherë pas konstituimit të kryebashkiakut të ri, pastrimi i kodrave me plehra buzë liqenit e i pluhurit e ferrave që kishin marrë rrugët. Të shumta kanë qenë reagimet nga qytetarët në rrjetin social të kryeministrit. Një nga komentuesit i shkruan me ironi që të kalojë nga zona e veriut. “O Edo kalo iher nga Veriu apo nuk tkan dhon ndojher vote andej pa I blere” Rama i përgjigjet: “mos i nxirr dhembet kur flet veshegjatesira se te hyn ndonje mize ne goje dhe na mbytesh e mezi te kemi”