Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka kritikuar dje qëndrimin e mazhorancës për hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore, duke e cilësuar si një tentativë për vendosjen e një sistemi monopartiak. Kryeministri Edi Rama duket i vendosur për realizimin e ndryshimeve kushtetuese për reformën zgjedhore pavarësisht se ka deklaruar se do të votojë edhe marrëveshjen e 5 qershorit.
Por në një intervistë për mediat, zoti Duka i ka shprehur “besnikërinë” koalicionit të opozitës së bashkuar, teksa deklaroi ditën e djeshme se PAA që ai drejton do të hyjë në zgjedhje vetëm me ta (PD dhe aleatët e saj). “Nëse këto ndryshime kushtetuese kalojnë me votën e mazhorancës dhe të opozitës parlamentare do të thotë që ata i vendosin rregullat e lojës vetë, hyjnë në zgjedhje vetë.
PD dhe opozita mund të kenë bërë veprime të diskutueshme si djegia e mandateve, në këtë rast ka të gjithë të drejtën për të mos hyrë më në zgjedhje. Ne sapo filluam të mësoheshim me këto rregulla loje që u dakordësuan. Filluam takimet në struktura bashkë që të konkurronim në ato kolegjiume që bëmë Kodin Zgjedhor.
Ne duhet ta marrim vesh se si do të shkojë kjo punë. Ato do të shkojmë me lista gjysmë të hapura. Ky është një mashtrim që ju bëhet atyre që kërkojnë gjatë gjithë kohës listat e hapura. Unë nuk mendoj se do kalojë kjo. Opozita e bashkuar duhet të luftojë me të gjitha mënyrat demokratike. Çfarë do të zgjedhin ata, do të jem dhe unë. Nëse ata nuk hyjnë në zgjedhje atëherë as unë.
Nuk mund të dal i vetëm për të luftuar thjesht për të plotësuar vendin në Parlament”, deklaroi ai. Më tej, kreu i PAA, Agron Duka theksoi se është e domosdoshme që partitë të garojnë në koalicion në zgjedhje. “Përveç llogaritjes së votave, unë mendoj që është një e drejtë legjitime që partitë të garojnë edhe të bashkuara. Nuk ka pse ta heqësh me ligj këtë. Edhe nëse bën lista të hapura, atëherë mund të garojnë brenda një liste.
Mazhoranca mund të bëjë çfarë të dëshirojë nëse mendojnë që të instalojnë një regjim monopartiak siç ka qenë. Nëse populli shqiptar do të jetë kaq pasiv, nëse ndërkombëtarët nuk do të vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim që kanë pasur për reformën në drejtësi. Ishin ata që i ulën mazhorancën dhe opozitën”, nënvizoi kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka.