Ka nisur në Gjykatën Administrative gjyqi i radhës për padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për pavlefshmërinë e emërimit prokuror të Ols Dados.
Gjyqtari i çështjes ka refuzuar sërish kërkesat e gazetarëve për ta transmetuar live apo për ta regjistruar të plotë seancës.
Sipas gjykatës, vendimi i mëparshëm i gjyqtarit Hazbi Balliu, i marrë më 8 maj, për ndalimin e transmetimit të drejtpërdrejtë, mbetet ende në fuqi dhe nuk është ndryshuar.
Kryebashkiaku Veliaj është i pranishëm në seancë dhe mësohet se do të mbajë një fjalë, në të cilën do të fokusohet edhe te hetimi i vrasjeve të 21 janarit, pasi u mësua se prokurori Ols Dado ka qenë pjesë e hetimeve për atë çështje.
Hetimet për 21 janarin janë rrëzuar më herët nga Gjykata e Strasburgut, e cila ka konstatuar shkelje lidhur me efektivitetin e hetimit.





